BALLKAN, 4 October 2026, 22:34

U dënua nga Haga me 13 vjet burgim, një komentues bën thirrje për vrasjen e ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimi

U dënua nga Haga me 13 vjet burgim, një komentues bën thirrje

Një komentues ka bërë thirrje për vrasjen e ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimit, në hapësirën e komenteve të një postimi të Gazetës Sinjali në Facebook.

Komenti është publikuar në një postim me titull “Shpirti artistik i Rexhep Selimit nuk u burgos: Shfaqet piktura e tij për UÇK-në”, që trajtonte një pikturë të realizuar nga Selimi dhe të prezantuar në emisionin “ArtKand” të Top Channel.

Personi që ka shkruar komentin përdor emrin Albesian Kelmendi në profilin e tij në Facebook. Megjithatë, identiteti i personit që qëndron pas këtij profili nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Në koment, personi ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për vrasjen e Selimit, duke përdorur gjuhë nxitëse për dhunë ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së.

Thirrje të tilla të bëra publikisht në rrjetet sociale përbëjnë një çështje serioze, veçanërisht kur drejtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj një personi konkret.

Rexhep Selimi është dënuar në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me 13 vjet burgim.

Komenti është publikuar në një postim që kishte në fokus aktivitetin artistik të Selimit dhe pikturën e tij kushtuar UÇK-së, e jo ndonjë zhvillim të ri lidhur me procesin gjyqësor.

Ndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur dhjetra raste të komentimeve të ngjashme, ku bëhej thirrje për vrasje të figurave kryesisht politike.

U dënua nga Haga me 13 vjet burgim, një komentues bën thirrje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas publikimit të një komenti në rrjetet sociale, në të cilin, siç ka thënë ajo, bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit.

Mehmeti-Selimi ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta trajtojë rastin dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personit që qëndron pas komentit.

Ajo ka thënë se një thirrje e tillë nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

“Sot, përmes raportimeve në mediat e shkruara, u njoftova për një koment publik në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.

Ajo e ka cilësuar rastin si “jashtëzakonisht serioz”, duke theksuar se mospajtimet politike apo bindjet personale nuk mund të përdoren si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një personi.

Thirrje për vrasjen e Rexhep Selimit në komentet e një postimi në Facebook
 
“Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës”, ka deklaruar ajo.

Deputetja i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që, brenda kompetencave të saj, të hetojë rastin, të identifikojë personin që qëndron pas komentit dhe të vlerësojë nëse ka përgjegjësi penale.

“Nuk kërkoj asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitetin e duhur të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu”, ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Mehmeti-Selimi ka thënë se heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme dhe se institucionet e drejtësisë duhet të sigurojnë që raste të tilla të trajtohen në përputhje me ligjin.