BALLKAN, 3 October 2026, 13:23

Çfarë parashikon projektligji për Specialen/ Dënimi maksimal 15 vjet, burgimi në Kosovë dhe mundësia e faljes nga Presidenti

Çfarë parashikon projektligji për Specialen/ Dënimi

Natën e së premtes, Qeveria e Kosovës konstatoi se nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk paraqet pengesa ligjore për procedim në Kuvend.

Vendimi i Qeverisë i hapi rrugë shqyrtimit të nismës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ndryshimet do të mund të hyjnë në fuqi vetëm nëse miratohen nga Kuvendi.

Por çfarë parashikon konkretisht projektligji i propozuar?

Kufizimi i veprimtarisë së Dhomave të Specializuara

Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i siguruar nga Top Channel, parasheh ndryshimin e nenit 1 të ligjit, duke përcaktuar më ngushtë qëllimin dhe veprimtarinë e Gjykatës Speciale.

“Qëllimi i këtij ligji është: të sigurojë përputhshmëri të plotë me qëllimin për të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe Shkëmbimin e Letrave të datës 14 prill 2014, duke kufizuar veprimtarinë e tyre gjyqësore në pretendimet specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462”, thuhet në projektligj.

Një tjetër pikë e ndryshuar në nenin 1 lidhet me “parandalimin e degradimit institucional të Dhomave të Specializuara në një gjykatë të jashtëzakonshme, gjë që ndalohet sipas nenit 103(7) të Kushtetutës”.

Projektligji synon gjithashtu të “riafirmojë epërsinë institucionale të gjykatave vendore në gjykimin e krimeve të tjera të luftës të kryera brenda territorit të Kosovës”.

Transferimi i rasteve në Kosovë

Krahas kësaj, nisma synon edhe transferimin në Kosovë të lëndëve dhe personave të gjykuar nga Gjykata Speciale në rastet që, sipas projektligjit, nuk kualifikohen brenda mandatit të saj.

“Të rregullojë transferimin e rregullt dhe të ligjshëm të rasteve që nuk kualifikohen, provave materiale, kornizave të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe personave të ndaluar tek gjykatat e rregullta dhe autoritetet korrektuese të Republikës së Kosovës, duke ruajtur të drejtat për një gjykim të drejtë, vazhdimësinë gjyqësore dhe ligjshmërinë procedurale”, thuhet në projektligj.

Përmes ndryshimit të paragrafit 1 të nenit 6 të ligjit për Dhomat e Specializuara, projektligji synon të përcaktojë edhe veprat mbi të cilat do të ketë juridiksion gjykata.

“1. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion mbi krimet e përcaktuara në nenet 12–16 vetëm në masën sa këto krime përbëhen ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt nga:

Nxjerrja, heqja dhe trafikimi i paligjshëm i organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohet dhe pretendohet specifikisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462; ose

Vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor dhe çnjerëzor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462, kur akte të tilla janë kryer drejtpërdrejt ose në lidhje të menjëhershme me veprimet e marrjes së organeve të përshkruara në nënparagrafin (a)”, thuhet në projektligj.

Çfarë parashikohet për personat e privuar nga liria?

Nenit 10A i shtohet edhe neni 10B, i cili përcakton kushtet e transferimit të personave të privuar nga liria.

“Kur procedura ndaj një personi të privuar nga liria përfundon para Dhomave për shkak të mungesës së juridiksionit, transferimi i tij në Republikën e Kosovës realizohet në zbatim të këtij ligji, Ligjit Nr. 04/L-274 dhe marrëveshjeve me shtetin pranues”, thuhet në projektligj.

Ky nen përcakton gjithashtu se deri në dorëzimin fizik të personave të privuar nga liria do të vlejnë vendimet në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Megjithatë, me t’u pranuar në kujdestari nga autoritetet e Kosovës, do të vlejë juridiksioni sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Brenda 48 orësh pas transferimit fizik, personi duhet të paraqitet para gjyqtarit kompetent në Republikën e Kosovës.

Dënimi maksimal 15 vjet burgim

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me masën maksimale të dënimit që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara.

“Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, në përputhje me parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm (lex mitior)”, thuhet në projektligj.

Dënimet të vuhet në Kosovë

Me nenin 16 kërkohet që edhe vuajtja e dënimit të bëhet në institucionet korrektuese të Kosovës.

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar”, thuhet në projektligj.

Presidenti mund të falë të dënuarit

Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

“Pavarësisht dispozitave të Ligjit nr. 03/L-101 për Faljen, personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 03/L-101 për Faljen zbatohen edhe për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në projektligj.

Ndryshime edhe për dëshmitarët dhe arkivat

Projektligji përfshin ndryshime edhe sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve, ruajtjes së arkivës dhe bashkëpunimit mes gjykatave.

Po ashtu, nisma synon të autorizojë Kuvendin e Kosovës të angazhojë organizata ndërkombëtare për mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Speciale.

Qeveria e Kosovës e ka dërguar tashmë përgjigjen e saj në Kuvend, duke konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e nismës.

Tashmë, hapi i radhës i takon Kuvendit të Kosovës, ku projektligji duhet të shqyrtohet dhe të votohet sipas procedurave parlamentare. Sipas PDK-së, nisma duhet të trajtohet me urgjencë, ndërsa deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka kërkuar që procedura të nisë menjëherë.