TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Edhe mbrëmjen e së premtes, në sheshin e Prishtinës u zhvillua protesta “Në emrin tim”, e organizuar kundër dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, u bëri sërish thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale.
Në fjalën e tij para protestuesve, Haziri kërkoi që institucionet të veprojnë pa vonesa, duke theksuar se, sipas tij, Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë pa u mbrojtur ajo që protestuesit e konsiderojnë si kontributin e UÇK-së.
“Edhe sonte në këtë shesh, deri sa Kosovës e UÇK-së t’i kthehet dinjiteti. Votojeni ligjin përse nuk kemi kohë të presim, Kosova nuk do të jetë e qetë pa e mbrojtur UÇK-në. Lavdi dëshmorëve e UÇK-së”, tha Haziri.
Protestuesit kërkuan ndryshime ligjore lidhur me funksionimin e Gjykatës Speciale dhe, në përfundim të tubimit, kërkesat e tyre iu dorëzuan Ministrisë së Drejtësisë.
Protesta e së premtes është pjesë e tubimeve të zhvilluara në Prishtinë nën moton “Në emrin tim”, përmes të cilave organizatorët kanë shprehur kundërshtimin ndaj vendimeve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës përmes ndryshimeve ligjore.