BALLKAN, 1 October 2026, 16:34

Takimi me von der Leyen, Kurti: Kosova i përmbush kriteret për statusin e vendit kandidat

Takimi me von der Leyen, Kurti: Kosova i përmbush kriteret për

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të bëjë thirrje që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës.

“Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, ka thënë Kurti në konferencën për media pas takimit me të në Prishtinë të enjten.

Kurti ka deklaruar se Kosova i përmbush kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ai ka theksuar se progresi i vendit është evidentuar edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

“Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova s’ka shënuar kthim prapa në asnjë nga 33 fushat”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu i ka kërkuar von der Leyen që Kosova të anëtarësohet në Konventën për Transit të Përbashkët, si dhe të integrohet në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.

Sipas Kurtit, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse, siç ka thënë ai, vendi zbaton standardet evropiane me kosto shtesë për bizneset.

“Hapja e këtyre dyerve do ta shndërronte harmonizimin me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar çfarë mund të arrijë, me më shumë dyer të hapura mund të arrijë më shumë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për zhvillimet në demokraci, sundimin e ligjit dhe sigurinë, duke thënë se Kosova ka shënuar përparim në këto fusha.

Ai ka deklaruar se Kosova është një “demokraci elektorale”, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet në vend janë të lira, të drejta dhe konkurruese.

Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike, duke thënë se Kosova ka pasur rritjen më të lartë në rajon, prej 4 për qind, ndërsa borxhi publik, sipas tij, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.