BALLKAN, 1 October 2026, 17:20

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/ Protestë kombëtare në Kosovë, mijëra qytetarë në shesh: “Liria nuk ka parti politike”

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po zhvillohet protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta është thirrur nga platforma “Liria ka Emër” dhe organizatorët e kanë cilësuar atë si një protestë me karakter kombëtar. Sipas tyre, tubimet nuk do të ndalen, por do të vijojnë çdo mbrëmje.

Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, deklaroi se protesta nuk lidhet me partitë politike, duke theksuar se “liria nuk ka parti politike”.

“Jemi mbledhur sot me sebep të madh. Jemi mbledhur për ju. Jemi mbledhur për UÇK-në. Jemi bërë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike.

Secili brez dha djersën. Themeli është i shumë gjeneratave. UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”, tha Tasholli.

Ai komentoi edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë.

“Ne i themi që besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në dystandardësi kur flitet për drejtësi. I themi: Jo në emrin tonë”, shtoi ai.