AKTUALITET, 18 October 2026, 17:17

U arrestuan gjatë ditës së parë të protestës në Durrës, gjykata lë në arrest shtëpie 4 protestues, detyrim paraqitje për 18 të tjerë

U arrestuan gjatë ditës së parë të protestës

Sipas avokatëve mbrojtës, gjykata caktoi masën “arrest shtëpie” për 4 prej 22 protestuesve, ndërsa për 18 të tjerë caktoi masën “detyrim paraqitje.

Vendimi u prit me entuziazëm nga familjarët e protestuesve që po prisnin jashtë ambienteve të Gjykatës së Durrësit.

Gjykata ka caktuar masat për 22 protestuesit që u arrestuan gjatë ditës së parë në Durrës.

Para këtij vendimi, Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së, deklaroi se ata janë dhunuar në komisariat.

"Shumë prej të ndaluarve po deklarojnë para gjykatës se janë dhunuar gjatë shoqërimit dhe në paraburgim. Kjo pa folur për të miturit dhe studentët e dhunuar me shkopinj gome në kokë, ndaluar e të liruar pa gjyq, apo të dhunuar e trysnuar pranë shkollave për t’i frikësuar e shkurajuar nga e drejta kushtetuese e pjesmarrjes në protestë.
I bëj thirrje prokurorisë që në vend të dorës së hekurt mbi të rinjtë protestues, të hetojë dhunën policore.
I bëj thirrje gjyqtarëve të ngrihen në nivelin e detyrës sublime të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të shtetasve dhe moralit qytetar që ka ngritur peshë shoqërinë: mbroni të drejtat e shtetasve përballë pushtetit të shtetit. Refuzoni masat e arrestit dhe lironi në sallë protestuesit.
Drejtuesve të policisë dhe efektivëve që kanë ushtruar dhunë i garantohet që do të paguajnë ashpër sipas ligjit militantizmin politik agresiv që kanë treguar"- shkroi Bylykbashi.