TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kjo e diel shënon ditën e gjashtë të protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.
Edhe sot ka nisur grumbullimi i protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit, ku shihen të rinj me dhe pa maska, me flamuj kombëtarë në duar dhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Njëri prej protestuesve, pasi u ka bërë thirrje bashkëprotestuesve të mos ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të Policisë, si dhe këtyre të fundit që të mos dhunojnë protestuesit, në shenjë revolte ka grisur certifikatën që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Studentët përpara Ministrisë së Arsimit, të pamaskuar me revoltën dhe deklaratat e tyre i japin përgjigje kryeministrit Rama që flet për “të infiltruar” në protestë. Ata dalin me zë e figurë duke i kërkuar dorëheqjen.
Mes protestuesve, një qytetar ka shprehur indinjatën për situatën në vend dhe dhunën ndaj të rinjve, duke thënë se Shqipëria po humbet të ardhmen e saj për shkak të largimit dhe shkatërrimit të shpresave të brezit të ri.
“Do të iki jashtë, do të arratisem. Ky vend nuk ka të ardhme pa rininë. Na e dogjën rininë! Unë jam 35 vjeç, jemi të mbaruar. Ku është arsimi, shëndetësia, ku janë?”, u shpreh ai.
Qytetari ngriti pikëpyetje edhe për përgjegjësinë e institucioneve, duke akuzuar se situata po dëmton edukimin dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë.
“Nuk po edukohet më një brez, por po shkatërrohet. E kam mundësinë të iki, por dua të jetoj këtu. Kjo që po na ndodh është e tmerrshme”, deklaroi ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë përballë asaj që po ndodh, duke pretenduar se krimi ka kapur çdo gjë në vend.