SPORT, 12 Janar 2022, 20:21

Partizani nuk përmbahet, gati rikthimi i një sulmuesi, akordi edhe më një mbrojtës

Partizani nuk përmbahet, gati rikthimi i një sulmuesi, akordi edhe

Partizani po tregohet skuadra më aktive në këtë merkato, duke përforcuar skuadrën me elementë cilësorë.

Sipas “Panorama Sport” skuadra e kuqe ka menduar të bëjë goditjen e madhe gjatë kësaj merkatoje. Siç raportohet, demat janë afër akordit me ish-sulmuesin e Kukësit, Vasil Shkurtaj, i cili shikohet si një lojtar mjaft cilësor për sulmin e Partizanit, teksa skuadra kryeqytetase ka vuajtur gjetjen e golit gjatë pjesës së parë të sezonit.

Palët kanë gjetur një akord paraprak që mund të finalizohet shumë shpejt dhe të kthejë Shkurtajn si protagonist në elitën e futbollit shqiptar, ku në të kaluarën ka veshur fanellën e Kukësit dhe Luftëtarit.

Nga sulmi në mbrojtje, Partizani ka menduar “kopsitjen” e skuadrës. Të kuqtë kanë gjetur akordin dhe janë shumë pranë firmës edhe me mbrojtësin Andi Hadroji.

Ish-lojtari i Bylisit përveç se në mbrojtje di të përshtatet mjaft mirë edhe në mesfushë, gjë të cilën trajneri Dritan Mehmeti mund ta shfrytëzojë në favorin e skuadrës.