SPORT, 12 Janar 2022, 13:05

“Po humbëm ndaj Barcelonës, nuk ndodh asgjë”, Ançeloti: Në “El Clasico” nuk ka favoritë

“Po humbëm ndaj Barcelonës, nuk ndodh asgjë”,

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes gjysmëfinale në Superkupën e Spanjës kundër Barcelonës. Madridi vjen me petkun e favoritit në takimin e sotëm, por trajneri italian i ka çuar një mesazh të qartë skuadrës së tij. Atij nuk i pëlqen roli i favoritit dhe këtë mesazh ka dashur ta përcjellë edhe te lojtarët.

“Është e vërtetë se në La Liga kemi bërë më mirë se Barcelona, por kjo nuk është një ndeshje kampionati. Këtu luhet për një vend në finale dhe çdo diferencë zerohet. Këtu nis gjithçka 0-0. Pastaj në ‘Klasike’ nuk ka favoritë. Kështu ishte edhe në ‘Camp Nou’ në La Liga.

Por, më shumë se gjithçka tjetër më shqetëson fakti nëse lojtarët e mi mendojnë se ne jemi favoritë. Në Madrid nuk mund ta shohim kështu këtë përballje. Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të kualifikohemi për në finale”, ka thënë fillimisht Ançeloti. Trajneri italian i Realit është ngacmuar nga gazetarët edhe në lidhje me një humbje të mundshme.

“Futbolli është një lojë ku ka tri rezultate, mes të cilave edhe humbja. Nëse humbasim, nuk do të jetë fundi i botës. Megjithatë, unë nuk e mendoj aspak humbjen”, ka shtuar Ançeloti. Trajneri i Realit nuk i ka kursyer përgëzimet edhe për teknikun e Barcelonës, Ksavi Hernandez.

“Ksavi është një trajner që ndjek filozofinë e klubit të Barcelonës. Nga aq sa e kam parë, tashmë Barcelona ka një identitet loje, luan me ide të qarta dhe jam i bindur se me Ksavin ata vetëm do të përmirësohen”, ka shtuar Ançeloti. Kundër Barcelonës, Reali pritet të zbresë me formacionin më të mirë në fushë.

Vetë Ançeloti ka deklaruar se 9 nga 11 lojtarët e formacionit titullar dihen, ndërsa dyshimet pritet të jenë në krahun e djathtë, në mbrojtje e në sulm.

Lukas Vaskez dhe Dani Karvahal janë në garë për një vend të mbrojtje, ndërsa Asensio e Rodrigo luftojnë për vendin e fundit në sulm, me spanjollin që duket më i favorizuar pas paraqitjeve të mira të bëra në javët e fundit.

Ndërkaq, Ançeloti, në fund është ngacmuar se cilin nga lojtarët e Barcelonës do të kishte dashur te Reali i tij. Italiani është treguar diplomatik. “Pike, Zhordi Alba e Buskets janë lojtarë të shkëlqyer, kanë mjaft eksperiencë. Nga ana tjetër, do të vlerësoja shumë dhe dy të rinjtë Gavi dhe Niko Gonzales. Ata kanë një të ardhme të madhe përpara”, ka thënë Ançeloti.