SPORT, 14 Mars 2023, 11:02

Balaj shënon pas rreth 13 vitesh në kampionatin shqiptar, ja statistikat e javës së 25-të të Superiores

Balaj shënon pas rreth 13 vitesh në kampionatin shqiptar, ja

Në javën e 25-të të Kategorisë Superiore pati shumë surpriza nga ekipet. Sulmuesi i Vllaznisë Bekim Balaj gjeti golin pas rreth 13 vitesh në kampionatin shqiptar dhe gjithsej në këtë javë u shënuan 12 gola.

* Një javë rekord ndëshkimesh, me 27 kartonë të verdhë dhe dy të kuq në pesë ndeshjet e zhvilluara. Në ndeshjen e luajtur në Durrës mes Erzenit dhe Egnatias pati 11 të verdhë dhe një të kuq.

* Dy trajnerë portierësh si Ideal Lekiqi i Vllaznisë dhe Taulant Guma i Egnatias, por gjithashtu zv.trajneri i Laçit, Klevis Hima, u ndëshkuan me të verdhë në stol këtë javë. Guma i skuadrës rrogozhinase mori të kuq pas dy të verdhave prej protestave ndaj arbitrit.

* Kjo javë prodhoi 12 gola, me një mesatare 2.4 gola për ndeshje.

* Bekim Balaj gjen golin me fanellën e Vllaznisë në kampionatin shqiptar pas rreth 13 vitesh, duke realizuar me penallti ndaj Partizanit. Për herë të fundit kishte shënuar në ndeshjen Apolonia-Vllaznia 0-1, e luajtur në Fier më 14 maj të vitit 2010.

* Për herë të parë gjatë këtij kampionati, sulmuesi i Tiranës, Florent Hasani, kap kuotën e 11 golave dhe barazohet me Redon Xhixhën, lojtarin që është larguar nga bardheblutë në janar te Karabaku.