SPORT, 12 Mars 2023, 19:24

Marash Kumbulla godet kundërshtarin dhe nxirret me karton të kuq, Roma humb në shtëpi (VIDEO)

Marash Kumbulla godet kundërshtarin dhe nxirret me karton të kuq, Roma
Momenti kur Kumbulla godet kundërshtarin

E sotmja nuk ishte dita e Marash Kumbullës. Ndeshja në shtëpi e Romës me Sassuolon ka përfunduar pas 44 minutash për mbrojtësin e Shqipërisë.

Sassuolo tregoi karakater ndaj Romës në kryeqytet, duke fituar 3-4.

Dopieta e Lauriente për skuadrën nga Reggio Emilia do ishte një sinjal i qartë për të besuarit e Mourinhos se asgjë sot nuk do jetë e lehtë. Zalewski ngushtoi shifrat në të 26-tën, por vetëm përkohësisht.

Do ishte Marash Kumbulla që do katranoste gjithçka në fundin e fraksionit. Kumbulla, në përpjekje për të mbrojtur një top, goditi Berardin. Arbitri akordoi penallti, ndërkohë që nuk mungoi kartoni i kuq për futbollistin e përfaqësueses tonë.

Nga pika e bardhë nuk do falte Berardi. Një supergol i Paulo Dybalas do ndizte shpresat e Romës për të marrë qoftë një pikë nga ky takim (51’). Sassuolo do vuloste fatin e këtij takimi (75’) me Pinamontin, pak minuta në fushë edhe për Nedim Bajramin. Goli i Wijnaldum në fund vlejti vetëm për statistikë.

Trajneri Mourinho e ka preferuar Kumbullën vetëm disa herë këtë sezon, pasi ka menduar se të tjera alternativa janë të duhura. Ky episod me shumë mundësi do t'i kushtojë shumë lojtarit, duke ditur edhe karakterin e teknikut portugez.