AKTUALITET, 27 August 2026, 09:38

Për të katërtën ditë radhazi, bie çmimi i naftës në tregun botëror. Shqipëria vijon ta tregtojë me më shumë se 215 lekë litrin

Çmimet e naftës vijuan rënien për të katërtën ditë radhazi, ndërsa tregjet po vlerësojnë mundësinë e rritjes së flukseve të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit, në një kohë kur përshkallëzimi i luftës Rusi-Ukrainë po kërcënon prodhimin dhe eksportet ruse.

Çmimet e naftës në treg botëror kanë pësuar një rënie të ndjeshme edhe mëngjesin e sotëm, ndërsa tregjet shpresonin për përmirësimin e furnizimeve nga Lindja e Mesme. Në raportimet e bëra nga mediat e huaja bëhet me dije se kjo lëvizje vjen menjëherë pasi Irani dhe Omani arritën një marrëveshje mbi rrugët e transportit detar tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, megjithëse Teherani paralajmëroi se një marrëveshje mund të mos përfshijë një rihapje të menjëhershme të kalimit.

Kontratat e ardhshme të naftës Brent ranë me 0.4% në 87.50 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar West Texas Intermediate ranë me 0.4% në 81.89 dollarë për fuçi. Kontratat e ardhshme të naftave Brent dhe WTI ranë me mbi 6% secila këtë javë, pasi optimizmi mbi një marrëveshje të mundshme të Hormuzit la në hije kryesisht mosmarrëveshjet e vazhdueshme SHBA-Iran.

Nga ana tjetër, ShBA-të bëhet me dije se kanë vendosur sanksione më të rrepta ekonomike ndaj Iranit në fillim të kësaj jave dhe gjithashtu i paralajmëruan vendet kundër kryerjes së tregtisë me Iranin.  Raportet e fundit kanë nxjerrë në pah një përmirësim të mundshëm të marrëdhënieve SHBA-Iran. Mediat shtetërore ruse raportuan se të dy palët kishin arritur një marrëveshje të re armëpushimi që do të shpallej në ditët në vijim.

Sakaq, mësohet se dhe qeveria malazeze ka vendosur të ulë më tej akcizat për benzinën dhe naftën, për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregun vendas. Masat e reja kanë hyrë në fuqi më 25 gusht dhe do të jenë të vlefshme deri më 5 shtator. Nga 25 gushti, një litër naftë do të tregtohet me 1.87 euro, 1 cent më pak se më parë. Ndërkohë, benzina Eurosuper 98 do të kushtojë 1.79 euro për litër, gjithashtu 1 cent më pak.

Mirëpo, situata paraqitet ndryshe për Shqipërinë, ashtu si prej fillimit të këtij muaj, nafta vijon të tregtohet me më shumë se 215 lekë për litër. Madje në qytetet të shumta, nafta shitet me 219 lekë për litër.