TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyri këtë të mërkurë për të zgjidhur ngërçin e krijuar për pagat e gjyqtarëve, pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut ligjin e kërkuar për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Me vendimin e marrë këtë të mërkurë, KLGJ përcaktoi pagën referuese bazë për magjistratët, duke e rritur atë me 65 mijë e 600 lekë. Nga 1 gushti 2026, paga referuese do të jetë 222 mijë e 425 lekë, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, ndërsa mbi këtë shumë aplikohet edhe shtesa e nivelit të kualifikimit prej 14 mijë lekësh. Vendimi u miratua me votat pro të anëtarëve të KLGJ-së.
Por vendimi nuk lidhet vetëm me pagën që do të marrin gjyqtarët nga gushti. Këshilli ka parashikuar edhe rillogaritjen e diferencave financiare të prapambetura për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Strukturat përgjegjëse për buxhetin në gjykatat e të tre niveleve janë ngarkuar të përllogarisin efektin financiar të rillogaritjes së pagave. Gjithashtu, Ministria e Financave duhet të sigurojë mbulimin e nevojshëm buxhetor për zbatimin e vendimit.
Vendimi i KLGJ-së vjen pas një përplasjeje të gjatë për mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve. Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të ndërhyrë dhe për të rregulluar me ligj mënyrën e llogaritjes së pagave, por afati përfundoi pa u miratuar zgjidhja përfundimtare.
Sipas vendimmarrjes së KLGJ-së, paga e re referuese lidhet me kategorinë e lartë drejtuese në administratën publike dhe përbëhet nga paga e pozicionit prej 222 mijë e 425 lekësh, së cilës i shtohet edhe pagesa prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Përveç pagave të reja, efekti financiar shtrihet edhe në të kaluarën. Diferencat që rezultojnë nga rillogaritja për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026 duhet të përllogariten nga strukturat përgjegjëse dhe të përfshihen në procesin e pagesave.
Vendimi i KLGJ-së pritet të ketë një efekt të konsiderueshëm financiar, pasi përveç rritjes së pagave aktuale, buxheti duhet të përballojë edhe diferencat e prapambetura për më shumë se tre vite.
Mbi këtë vendim, u kërkua një reagim nga Qeveria. Në përgjigje të kësaj kërkese, Qeveria dha këtë reagim:
“Kjo është një çështje delikate që kërkon fillimisht një analizë të brendshme dhe sapo të merret një vendim lidhur me këtë do t’ju mbajmë të informuar.”
Qëndrimi i ekzekutivit vjen në një moment kur KLGJ ka marrë vendimin për zbatimin e formulës së pagave, ndërsa efektet financiare të kësaj vendimmarrjeje do të duhet të përballohen nga buxheti.
Çështja e pagave të magjistratëve është shoqëruar me një përplasje të gjatë gjyqësore mes gjyqtarëve, prokurorëve dhe qeverisë që prej vitit 2023. Debati lidhet me formulën e përdorur për përcaktimin e pagës referuese dhe me pretendimin se ndryshimi i saj kishte sjellë një ulje të fshehtë të pagave.
Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen, ndërsa pas mosveprimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, KLGJ ka ndërhyrë për të përcaktuar pagën referuese dhe për të nisur zbatimin e vendimit.
Sa i përket prokurorëve, çështja kërkon një vendimmarrje të veçantë nga strukturat përkatëse të sistemit të prokurorisë.
Tashmë pritet që institucionet financiare të përllogarisin faturën e plotë të vendimit, ndërsa Qeveria duhet të përcaktojë qëndrimin e saj për efektet financiare që do të sjellë rritja e pagave dhe kompensimi i diferencave të prapambetura.