TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

SPAK ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi në Durrës, duke bërë publike detaje të reja mbi operacionin dhe hetimin ndaj tij.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se Agasi u arrestua pas një pune disa javore, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Arrestimi u krye këtë të mërkurë, 26 gusht, në hyrje të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga një ish-punonjës policie, Uljan Shpataraku. Ky i fundit është arrestuar në flagrancë nga autoritetet, nën akuzën për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
SPAK bën të ditur se hetimet ndaj Ergys Agasit janë pjesë e dosjes AKSHI që në dhjetor të 2025.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Kjo e fundit, sipas SPAK, dyshohet se është kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal.
Hetimi përfshin gjithashtu akuzat për grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Agasi po hetohet gjithashtu për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Ndaj Agasit, sqaron SPAK, është zbatuar masa e sigurisë “arrest në burg” e caktuar që më 15 dhjetor 2025 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Megjithatë, arrestimi i Agasit është bërë i mundur vetëm ditën e sotme, pas disa muajsh kërkimi dhe një pune të posaçme të strukturave të hetimit dhe policisë.
“Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit”, thuhet në deklaratën e SPAK.