SPORT, 1 Mars 2020, 17:26

Nuk përmbahet Atalanta, shkakton “tërmet 7-ballësh” në Lecce

Nuk përmbahet Atalanta, shkakton “tërmet 7-ballësh”

Skuadra e Atalantës, e drejtuar nga Gian Piero Gasperini, konfirmoi momentin e artë që po kalon edhe në transfertën e Lecces, ku triumfoi me goleadë 2-7, duke rivendosur shumë shpejt diferencën prej gjashtë pikësh me Romën e vendit të pestë, që i kërcënon zonën Champions.

Në “Vial del Mar” sfida ishte e ekuilibruar vetëm në pjesën e parë, gjatë së cilës të dyja skuadrat realizuan nga dy gola. Atalanta kaloi në epërsi të dyfishtë me autogolin e Donatit dhe finalizimin e Zapatas, por puljezët u kundërpërgjigjën pa u mbyllur 45 minutat e para me golat e Saponaras dhe Donatit.

Bergamaskët shpërthyen në pjesën e dytë duke shënuar 5 gola, me autorë Ilicic, Zapata (dy herë0, Muriel dhe Mlinovski. Humbje e rëndë kjo për Leccen, që gjithsesi ngushëllohet nga fakti që të gjitha skuadrat e fundtabelës nuk kanë arritur të marrin pikë.

Në radhët e bergamaskëve në këtë sfidë mungonte Berat Gjimshiti, për shkak të një dëmtimi.