AKTUALITET, 22 September 2026, 12:46

Masa e SPAK për Vlora Hysenin, Berisha: Nuk ndodh në asnjë vend që shefja e SHISH të jetë në shërbim të krimit! Vizitën e parë pas marrjes së detyrës e bëri në Beograd!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me operacionin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimeve të dosjes AKSHI, ku me vendim të GJKKO, u vendos masa e pezullimit nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni dhe “arrest në shtëpi”.

Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se kjo është hera e parë në histori, që një shefe e shërbimit shtetëror informativ të vendoset në funksion të krimit, duke shtuar se Hyseni ka shkelur betimin dhe ligjin.

Sipas Berishës, ajo bëri një vizitë të fshehtë në Beograd sapo mori detyrën asokohe në vitin 2023 në krye të SHISH. Sipas kryedemokratit, ajo u shkarkua edhe nga posti që mbante në Agjencinë e Inteligjencës në Kosovë për shkak se dha të dhëna sekrete te armiqtë e Kosovës.

“Kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot, Prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e Shërbimit Informativ kombëtar, si bashkëpunëtore në krim, si një njeri që ka shkelur betimin, ligjin, dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.

Nuk ka një nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky. Natyrisht SHISH është institucion i rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare Interesi ynë për këtë shërbim fillimisht pas largimit të detyruar gjoja për studime të ish shefit të shërbimit Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij famëziu, që me aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. 

Koreja mund ta kishte një urdhër të tillë por ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente. Ky është denoncim në vitin 2022. Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën Vlora Hyseni është shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës. Emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë e bëri në Beograd, ku qëndroi mbi 10 ditë.”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi se Ergys Agasi, i arrestua disa javë më parë kontrollonte Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH).

Duke komentuar masën e sigurisë së dhënë nga GJKKO dhe pezullimin nga detyra të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, kryedemokrati theksoi se ajo dhe Agasi takoheshin shpesh në një lokal poshtë shtëpisë së tij.

“Në mënyrë të përsëritur, kam denoncuar se SHISH e kontrollonte Ergys Agasi. Sesa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën është një lokal aty afër shtëpisë time. Të paktën dy herë në javë drekonin së bashku.

Nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo jo në mes të Tiranës. I kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë njëri me tjetrin. Ky bashkëpunim dëshmon se në Shqipëri padrino vendosi sistemin e kontrollit kriminal në çdo institucion dhe qelizë të këtij vendi.”, tha Berisha.