TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Institucioneve është përfshirë nga debata të nxehta politike pas zhvillimeve më të fundit me masën e sigurisë të nxjerrë nga SPAK për drejtuesen e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH). Deputeti i Partisë Demokratike, Iv Kaso, dhe kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kanë përplasur qëndrimet e tyre mbi rënien e shtetit dhe përgjegjësinë politike të kryeministrit Edi Rama.
Deputeti demokrat Iv Kaso e nisi fjalën e tij duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të agjendës parlamentare, duke e cilësuar ngjarjen si një nga goditjet më të rënda për shtetin shqiptar në dekadat e fundit.
"Nuk besoj se kjo seancë e sotme e komisionit tonë, apo asnjë seancë e asnjë institucioni publik sot nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshme, pasi ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, besoj nga më të rëndat në këto 36 vite tranzicion dhe demokraci. Sot është vërtetuar dhe është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar," deklaroi Kaso.
Më tej, Kaso theksoi se situata ku institucionet e sigurisë përplasen me njëra-tjetrën tregon se sekretet më të larta shtetërore kanë rënë në duart e krimit të organizuar, për shkak të vendimeve politike të vetë kryeministrit.
"Sot ka ndodhur e padëgjuara, kur institucionet e shtetit fillojnë arrestojnë njëri-tjetrin në zyrë, kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit merret masë sigurie... Opozita e ka denoncuar emërimin e pakriter të kësaj zonje në krye të institucioneve të sigurisë së vendit, në një mënyrë të dyshimtë dhe për vullnet personal të kryeministrit, i cili sot duhet të mbajë dhe përgjegjësinë," nënvizoi ai, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe zhvillimin e seancave dëgjimore emergjente.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për "rënie të shtetit", duke mbrojtur vendimmarrjen e shumicës dhe duke e paraqitur veprimin e organit të akuzës si tregues të pjekurisë demokratike.
"Ju folët për institucion, por në fakt çdo institucion ka detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionin e tyre kushtetues dhe ligjor ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi këtë gjë. Ne këtu kemi detyrën tonë si ligjvënës," u përgjigj Xhafaj.
Lidhur me pretendimet se institucionet po godasin njëra-tjetrën, Xhafaj u shpreh se veprimet e drejtësisë ndaj individëve të caktuar nuk duhet të enaçohen si goditje ndaj vetë institucioneve, por si funksionim i shtetit të së drejtës.
"Sa i përket çfarë bëjnë institucionet, që ju formuloni 'institucionet arrestojnë njëri-tjetrin', institucionet nuk arrestojnë. Arrestojnë individët. Kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, shenjë e fortësimit të shtetit të së drejtës, shenjë dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve," tha ai.
Për të përforcuar qëndrimin e tij se funksionimi i hetimit ndaj zyrtarëve të lartë është një proces i natyrshëm, Xhafaj e krahasoi situatën me vendet partneres perëndimore:
"Ajo që po shohim sot është ajo që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës. Këtë ne e shohim në vendin kampion të demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar, për një shtet të së drejtës," përfundoi Xhafaj, duke u shprehur gjithsesi i hapur për të diskutuar çdo çështje që hyn në sferën e përgjegjësisë parlamentare.