AKTUALITET, 22 September 2026, 10:36

Operacioni i SPAK për dosjen ‘AKSHI’, arrestohet një zyrtar i Policisë dhe një biznesmen! Kontrolle ushtrohen edhe në Durrës

Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit që po kryen Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dosjen e AKSHI-t.

Në pranga janë vënë Fatjon Kalluci, Shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe Embro Sulejmani, biznesmen në Durrës. Ndërkohë, raportohet se kontrolle janë ushtruar edhe në zonën e Shkozetit në Durrës.

Në kuadër të këtij operacioni, janë ushtruar kontrolle në banesën e ish kreut të Policisë, Ilir Proda, i cili u mor më herët në pyetje nga SPAK, si dhe në banesën e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Ndaj Vlora Hysenit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi me kërkesë të SPAK, si edhe gjithashtu e ka pezulluar nga detyra.

Masa ndaj Hysenit nuk është ekzekutuar pasi ndodhet jashtë vendit, ndërsa dyshohet për dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.