SPORT, 15 Shkurt 2020, 20:51

Liverpulin e nderon goli i 100-të i Mane, titulli duket një formalitet

Liverpulin e nderon goli i 100-të i Mane, titulli duket një formalitet

Goli i 100-të për klubet angleze i Sadio Mane, i ka mjaftuar Liverpulit për të marrë tri pikët në një transfertë që rezultoi shumë më e vështirë se sa mendonte ndaj Noruiçit të vendit të fundit e për të arritur shifrën e pabesueshme të 76 pikëve që pas javës së 26-të.

Skuadra e Jurgen Klopit vazhdon të ecë me ritme si askush më parë dhe sot regjistroi fitoren e 25-të në 26 sfida të luajtura, me tjetrën që ka përfunduar në barazim. Dukej se edhe kjo transfertë ndaj Noruiç mund të përfundonte barazim, pasi “të kuqtë” shpërdoruan raste dhe rrezikuan edhe të pësonin.

Aktivizimi i Mane ndryshoi gjithçka dhe sulmuesi tregoi vlerat e tij duke shënuar në minutën e 76-të, gol që do të rezultonte vendimtar për ekipin e Klop pasi ishte i vetmi i ndeshjes. Matematika tashmë thotë se Liverpulit i duhen edhe pesë fitore për të bërë të vetin trofeun, në një sezon ku po thyen të gjitha rekordet e mundshme të kampionatit anglez.