SPORT, 15 Shkurt 2020, 09:57

E-maili i turpshëm i Mançester Sitit për hetuesin e vdekur të UEFA-s: Një iku, mbeten gjashtë

E-maili i turpshëm i Mançester Sitit për hetuesin e vdekur


Përjashtimi i Mançester Sitit nga arena ndërkombëtare ka zanafillën te mijëra dokumentet dhe e-mailet që hakeri portugez Rui Pinto arriti të merrte nga klubet më të mëdha në Europë.

Ai krijoi faqen “Football Leaks” duke nxjerrë në pah shpenzimet e çmendura për futbollistët si dhe mënyrën se si bënin evazion fiskal shumë prej tyre, por njëkohësisht, ai zbuloi edhe një sërë dokumentash që tregonin se si klube të ndryshme manipulonin të dhënat që i dërgonin UEFA-s pèr të anashkaluar Fair Play Financiar.

Në mijëra dokumentet dhe e-mailet që i përkasin dosjes së Mançester Sitit, ajo që ka tronditur më shumë opinionin kur u publikua nga “Der Spiegel” ishte këmbimi i informacioneve të avokatit të klubit, Sajmon Klif.

Pas dënimit në vitin 2014 nga UEFA për shkelje të rregulloreve, Mançester Siti protestoi, por gjithsesi arriti një akord me UEFA-n duke paguar një shifër të lartë, edhe pse Khaldon Al Mubarak, pronari i klubit, e shihte këtë si një betejë personale.

Një ditë para akordit, u nda nga jeta Zhan-Lyk Dehaen, ish-kryeministri belg, i cili kishte qenë kryetari i Komisionit Hetimor për Mançester Sitin.

“1 iku, mbeten edhe 6”, është përmbajtja e e-mailti të Klif që u është dërguar vartësve të tij brenda klubit, siç u publikua nga “Der Spiegel”.

Klif në një e-mail tjetër shkruante se Mubarak kishte folur personalisht me Xhani Infantinon, asokohe Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s dhe i kishte bërë të ditur se nuk do të pranonte sanksione nga ajo.

“I ka thënë se më parë do të shpenzonte 30 milionë euro për 50 avokatët më të mrië në botë për të hedhur në gjyq UEFA-n për 10 vitet e ardhshme”, shkruante Klif duke raportuar kështu se sheiku nuk kishte ndër mend të ndalej.