TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbajtja e migrantëve dhe azilkërkuesve në qendra ndalimi jashtë territorit, sipas Marrëveshjes Itali-Shqipëri, po vë në rrezik sigurinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, deklaroi Amnesty International në një raport të publikuar ndërsa zhvillimet në Ceuta vazhdojnë të nxjerrin në pah rreziqet e politikave të kahershme të Bashkimit Evropian (BE) për migracionin, të përqendruara te përjashtimi dhe izolimi.
Raporti “Italia: Ndalimi jashtëterritorial i migrantëve dhe detyrimet për të drejtat e njeriut” analizon marrëveshjen e vitit 2023 për ngritjen e dy strukturave të migracionit në Shqipëri, të administruara nga autoritetet italiane. Marrëveshja ka çuar në transferimin me forcë të qindra personave, të cilët përballen me ndalimin, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë mundësi reale për të marrë ndihmë ligjore. Kushtet në këto qendra dhe pasojat e rënda njerëzore të politikave italiane të zhvendosjes së migrantëve jashtë territorit kanë shtyrë disa persona drejt vetëlëndimit apo tentativave për vetëvrasje.
“Qëllimi përfundimtar i ndalimit jashtë territorit është frenimi i migracionit dhe përpjekja për të zhvendosur apo shmangur si përgjegjësinë për t’iu përgjigjur njerëzve që migrojnë, ashtu edhe detyrimin për t’u ofruar azil atyre që kanë nevojë. Marrëveshja e Italisë me Shqipërinë tregon edhe një herë kostot e pashmangshme që kjo qasje ka për të drejtat e njeriut”, tha Eve Geddie, Drejtore e Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane.
“Pak përpara hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Amnesty International ngriti alarmin për ndikimin e dëmshëm që ajo do të kishte në mënyrë të pashmangshme mbi të drejtat e njerëzve në rrezik në det dhe të personave të transferuar në Shqipëri. Është e qartë se këto shqetësime tashmë janë bërë realitet.”
Amnesty International beson se gjetjet e saj duhet të shërbejnë si paralajmërim për BE-në lidhur me ndikimin katastrofik të politikave të migracionit që synojnë të mbështeten gjithnjë e më shumë te vendet jashtë kufijve të saj për menaxhimin e migracionit, në vend që të zgjerojnë rrugët e sigurta dhe të rregullta të migrimit.
Mizori e panevojshme
Nga tetori 2024 deri në janar 2025, Italia zhvilloi tre operacione detare dhe transferoi me forcë 74 persona drejtpërdrejt nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë, në kuadër të Marrëveshjes. Pas një sërë vendimesh të gjykatave italiane që rrëzuan urdhrat e ndalimit për këta persona, Italia ndaloi transferimet drejt Shqipërisë nga deti i hapur.
Megjithatë, në mars 2025, qeveria italiane ndryshoi zbatimin e Marrëveshjes për të lejuar mbajtjen në Shqipëri të burrave ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhra dëbimi në Itali. Si rezultat, qindra burra – sipas raportimeve mbi 500 – kryesisht persona të racializuar, janë transferuar me forcë në qendrën e ndalimit në Gjadër gjatë 15 muajve të fundit.
Nga 11 prilli deri më 16 maj 2025, në qendrën e Gjadrit u regjistruan 42 incidente kritike, përfshirë të paktën dy tentativa për varje, një protestë gjatë së cilës tre persona u plagosën nga xhamat e thyer, si dhe raste të ndryshme vetëlëndimi.
Qeveria italiane ka penguar monitorimin e pavarur të zbatimit të Marrëveshjes, përfshirë kufizimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe anashkalimin e procedurave të zakonshme legjislative. Për shkak të kufizimit të aksesit dhe mbikëqyrjes nga vëzhgues të pavarur të të drejtave të njeriut, ajo që ndodh në qendrat e ndalimit në Shqipëri mbetet kryesisht e mbuluar nga fshehtësia.
Megjithëse personat e ndaluar në Shqipëri janë nën juridiksionin italian, distanca fizike nga Italia, e kombinuar me aksesin e kufizuar te avokatët, gjykatat dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës, cenon ndjeshëm ushtrimin efektiv të së drejtës për të kërkuar azil dhe për të pasur akses në drejtësi.
Një avokat i intervistuar nga Amnesty International tha se nuk kishte mundur ta takonte klientin e tij përpara seancës dhe se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur siç duhet mbrojtjen. Sipas tij, procesverbalet e intervistave të azilit, ku personat u përgjigjeshin pyetjeve vetëm me fjalë të shkurtra apo njëfjalëshe, ishin shenjë se ata mund të ishin frikësuar ose intimiduar.
“Personat e ndaluar në Shqipëri janë, kuptueshëm, të traumatizuar. Ata mund të kenë kaluar shkretëtirën, të jenë ndaluar dhe keqtrajtuar në Libi, t’i kenë mbijetuar kalimit të detit me mjete lundruese të pasigurta dhe më pas, pasi janë kapur nga autoritetet italiane, të kenë kaluar ditë të tëra duke udhëtuar drejt Shqipërisë. Të tjerë, të transferuar nga qendrat e ndalimit në Itali, shkëputen nga jeta e tyre, duke lënë pas komunitetet dhe rrjetet mbështetëse, dhe pritet që papritur të përballen me një mjedis të ri, kontrolle dhe dokumentacion – të gjitha këto në kushte izolimi. Ajo që detyrohen të përjetojnë është një mizori e patolerueshme dhe e panevojshme”, tha Eve Geddie.
Cenimi i shtetit të së drejtës
Gjykatat italiane dhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian kanë konstatuar se rregullat dhe praktikat italiane lidhur me kërkesat për azil të paraqitura nga persona që vijnë nga vende të përcaktuara nga Italia si “të sigurta” – përcaktim që përdoret si bazë për shqyrtimin e përshpejtuar të kërkesave – nuk janë në përputhje me legjislacionin përkatës të BE-së dhe nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për aplikantët.
Pavarësisht vendimeve të përsëritura të gjykatave italiane që kanë urdhëruar lirimin e personave të ndaluar në Shqipëri, qeveria italiane ka vazhduar zbatimin e marrëveshjes. Ajo është përpjekur të kufizojë kontrollin gjyqësor mbi përcaktimin e “vendeve të sigurta”, duke përdorur legjislacion të parashikuar për situata urgjente, pa dhënë arsye të mjaftueshme, duke cenuar kështu shtetin e së drejtës.
Edhe personat me urdhra dëbimi në Itali, të cilët ndodheshin tashmë në qendra ndalimi atje, u janë nënshtruar transferimeve të paligjshme jashtë territorit, jashtë dispozitave të parashikuara nga legjislacioni kombëtar dhe evropian.
“Është më se e qartë se modeli Itali-Shqipëri është i pamundur të zbatohet në përputhje me detyrimet e Italisë për të drejtat e njeriut. Ky realitet duhet të jetë një alarm për BE-në që çdo plan të ardhshëm për zgjerimin e përdorimit të ndalimit jashtë territorit dhe mjeteve të tjera të eksternalizimit të migracionit ta pezullojë”, tha Eve Geddie.
“Autoritetet italiane duhet t’i japin menjëherë fund marrëveshjes me Shqipërinë, të zbatojnë alternativa ndaj ndalimit të migrantëve – i cili sipas së drejtës ndërkombëtare duhet të mbetet masa e fundit – dhe t’u garantojnë të gjithë personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare akses në procedura azili efektive dhe jodiskriminuese, si dhe kushte dinjitoze pritjeje në territorin italian. Të gjithë refugjatët dhe migrantët duhet të kenë akses në garanci ligjore efektive dhe të përfitojnë nga monitorimi i pavarur.”
Sfondi
Marrëveshja Itali-Shqipëri hyri në fuqi më 23 shkurt 2024 dhe parashikohet të qëndrojë në fuqi për pesë vjet, pas së cilës do të rinovohet automatikisht. Sipas raportimeve, qeveria italiane ka parashikuar mbi 670 milionë euro për funksionimin e saj deri në vitin 2028.
Pasi Ministria e Brendshme italiane refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesat e Amnesty International për akses në qendrat e ndalimit në Shqipëri, duke përmendur arsye të sigurisë dhe rendit publik, hulumtimi është bazuar në korrespondencën me Ministrinë e Brendshme, shqyrtimin e dokumenteve gjyqësore, informacionet e shkëmbyera brenda rrjetit të shoqërisë civile Tavolo Asilo e Immigrazione, raportet e parlamentarëve dhe Avokatëve të Popullit, si dhe intervistat me agjencitë e OKB-së dhe me dy avokatë të personave të ndaluar në Gjadër./Amnesty.org