TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke shprehur habi për përpjekjet për të lidhur partinë që ai drejton me protestat dhe përplasjet e dhunshme.
Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti deklaroi se partia e tij tashmë është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, duke theksuar se nuk pranon të instrumentalizohet nga askush.
“Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të vendit si një përgjegjësi historike kombëtare.
Sa i përket përplasjeve gjatë protestave, kreu i qeverisë së Kosovës dënoi dhunën dhe lëndimet ndaj qytetarëve, ndërsa nënvizoi se krahas përgjegjësive penale duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzimin e situatave.
“Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, deklaroi ai.
Kurti u ndal edhe te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se dy vendet nuk janë dhe nuk do të jenë rivale. Ai shprehu mbështetjen për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, infrastruktura, arsimi dhe siguria.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë. Ne nuk kemi patur rastin të flasim për to, të zënë siç kemi qenë me fushatën dhe zgjedhjet e qershorit e më pas me tensionin pothuaj dramatik që na shoqëroi deri te zgjedhja e presidentes. Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët. Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.