AKTUALITET, 18 October 2026, 18:50

Haçkaj tregon takimin me Presidentin Begaj: Më tha që s’më lejojnë kushtet juridike të ndërhyj

Haçkaj tregon takimin me Presidentin Begaj: Më tha që

Tre përfaqësues të protestës, dy prej të cilëve nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, janë takuar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, të cilit i kanë kërkuar të mbajë një qëndrim për situatën e krijuar në vend dhe kërkesat e protestuesve.

Florian Haçkaj, përfaqësues i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe një prej pjesëmarrësve në takim, tregoi për Top Channel detaje nga biseda me kreun e shtetit.

Sipas Haçkajt, Begaj u kishte bërë të ditur se mundësitë e tij për të ndërhyrë janë të kufizuara nga pikëpamja juridike, ndërsa ishte shprehur i gatshëm të lehtësonte një dialog nëse do të ishte e nevojshme.

“Presidenti nuk kishte zgjidhje. U tregua shumë… ndoshta nga ana juridike nuk i ka mundësitë, nuk di, por tha që mundësitë e mia janë shumë të pakta. Sigurisht, nëse do të ketë nevojë dialogu, do ta facilitoj”, deklaroi Haçkaj.

Sipas tij, takimi është zhvilluar të premten në orën 09:30, në zyrën e Presidentit, në prani të këshilltarëve dhe shefit të kabinetit të kreut të shtetit. Në takim morën pjesë tre përfaqësues të protestës, dy prej tyre nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe një mjek që, sipas Haçkajt, është aktivizuar gjatë protestave të fundit.

Haçkaj tha se gjatë bisedës përfaqësuesit e diasporës i kërkuan Presidentit të mbante një pozicion, duke i paraqitur si kërkesa kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë i kemi kërkuar urgjentisht të mbajë pozicion, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe duke kërkuar qeveri tranzitore, si dy pikat kryesore që ka kërkuar sheshi për kaq shumë ditësh”, tha Haçkaj.

Sipas tij, kërkesa është që një qeveri tranzitore të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe çështje të tjera të ngritura gjatë protestave.