TEJ E KETEJ, 1 Nëntor 2020, 19:23

Donald Trump kërkon të sjellin urgjent në Amerikë, zonjën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Edith Harxhi!

Donald Trump kërkon të sjellin urgjent në Amerikë,


Në kohën që koronavirusi po bën kërdinë në mbarë botën, është vetë Donald Trumpi, në orët e fundit të mandatit të tij,  që ka kërkuar dhe është lutur, që t'i sjellin urgjent në Amerikë, për ta shpëtuar nga humbja, zonjën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shqiptare, Edith Harxhin.

Po përse ka ardhur kjo kërkesë kaq e çuditshme, më e çuditshme se vetë presidenti Trump?!

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Disa orë më parë, Presidenti Donald Trump, u bë me dije, që në portalin thellësisht konservator, "Syri.net" të Çim Pekës tonë, është botuar një shkrim i rrallë, më i rralli shkrim në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, me autore kryesore, zonjën Edithe Harxhi.

Vetë Trumpi, pasi e lexoi të përkthyer këtë shkrim, vuri duart në kokë dhe i tmerruar kuptoi, atë që edhe vetë nuk e dinte, që në këto katër vjet, paskësh patur edhe ai doktrinë! Dhe pikërisht një gjë të tillë, e ka zbuluar Edith Harxhi, 48 orë përpara zgjedhjeve presidenciale dhe e ka botuar menjëherë Çimi ynë, i njohur si trumpisti më i madh në Shqipëri.

Në fillim të shkrimit, zonja Edithe, me elegancë të lartë, shpjegon se vetë Zoti i madh, ai që kemi lart, e solli Donald Trumpin, duke i dhënë një rol thelbësor, në formësimin e kohës në të cilën jetojmë. Në shkrimin e saj, Edith Harxhi, i shpjegon botës mbarë, përse njerëzit e sulmojnë dhe duan ta mohojnë doktrinën Trump?!

Ja si shprehet në një moment ajo konkretisht:

-Një pjesë nuk e kuptojnë me gjithë mend Presidentin Trump.Të tjerë, duke njohur rrezikun që ai paraqet qoftë për interesat personale apo për ideologjinë e tyre të majtë, përpiqen ta sulmojnë doktrinën që ai përfaqëson apo në rastin më të keq ta quajnë atë inekzistente.

Në shkrimin e saj, Edith Harxhi, shpjegon një për një, shtyllat kryesore të doktrinës Trump.

Ende nuk bëhet e ditur, nëse zonja Edithe, është nisur drejt Amerikës, për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për t'i dhënë ndihmën jetike stafit të Trumpit, në minutat e mbetura, apo jo?

PS. Në mënyrë që ne të mos e djallosim më tej, me budallallëqet tona, shpjegimin e këtij shkrimi të madh dhe të panjohur deri më sot, ju lutemi, lexojeni atë të plotë, në gjatësi, thellësi dhe gjerësi!

/TPZ.al/ Tej e këtej/

Doktrina Trump 

Nga Edith Harxhi dhe Nikola Kedhi

Në momente të caktuara të historisë, Zoti, fati apo rastësia bëjnë që njerëz të caktuar të marrin një rol thelbësor në formësimin e kohës në të cilën jetojnë. Ata ndajnë qartësisht kohën në dy epoka të ndryshme dhe lënë shenjë të patjetërsueshme për dekada në vijim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është një individ i tillë.Në këtë pikëpamje, fushata e tij e parë, Presidenca dhe përpjekjet e tij për një mandat të dytë jo vetëm tërheqin vëmendjen e popujve të ndryshëm, përtej atij amerikan, por prekin jetët e njerëzve në të tërë planetin.

Bota është mësuar prej shume vitesh me Presidentë Amerikan konvencional – një prerje. Është diçka e zakontë të dëgjosh nga media, njerëz publik, politikanë, dhe opinion-bërës, se Presidenti i 45-të amerikan është i rrezikshëm, është kalimtar, duhet përbuzur, përqeshur e gjithfarë epitetesh denigruese. Një pjesë nuk e kuptojnë me gjithë mend Presidentin Trump.Të tjerë, duke njohur rrezikun që ai paraqet qoftë për interesat personale apo për ideologjinë e tyre të majtë, përpiqen ta sulmojnë doktrinën që ai përfaqëson apo në rastin më të keq ta quajnë atë inekzistente.

Gjithkush që ka pasur mundësinë të ndjekë drejtpërsëdrejti Presidentin Amerikan është në gjendje të kuptojë se ai ka dalë në mbrojtje të principeve dhe ideve konservatore, të djathta, dhe ka hequr pluhurin e disa vlerave njerëzore të harruara nga i gjithë Establishmenti botëror, e për rrjedhojë të nxjerrë zbuluar edhe atë shqiptar.

Doktrina Trump bazohet te disa shtylla kryesore – të gjitha të zbatueshme në çdo vend të botës, dhe askund më shumë të nevojshme se sa në një vend si Shqipëria. Liria e individit, siguria e brendëshme dhe e jashtme, ekonomia e bazuar në prodhim dhe taksa të ulëta e liri rregullatore, përfillja e cdo kujt zëri i të cilit apo të cilës nuk dëgjohet dhe nuk merret parasysh nga ata që e kanë vënë veten në baballarë të kombeve, janë principet bazë të Doktrinës Trump.

Shtylla kryesore është Amerika e Para, që do të thotë Presidenti si përfaqësues i interesave të popullit, dhe i zgjedhur nga ata duhet të vendosë ata të parët. Pikërisht këtë bëri Presidenti Trump dhe fitoi votat e elektoratit të gjerë amerikan edhe pse morri shumë kritika nga jashtë Amerikës. Bota ishte mësuar me një Amerikë që drejtonte gjithë problemet e botës e menjëherë u duk sikur Amerika e Trump do të mbyllej në vetvete dhe do të anashkalonte hallet e të tjerëve. Është krejt logjike që kur disa persona përzgjedhin një individ për t’i përfaqësuar, të presin që ai të zgjidhë problemet e tyre dhe më tej të merret me të tjerët. Kjo logjikë ndiqet nga çdo vend sovran në botë, pavarësisht se në mënyrë hipokrite, Trump akuzohet si izolacionist. Pandemia e Covid-19 tregoi se si Franca, Gjermania apo Spanja mbyllën menjëherë kufijtë dhe vendosën qytetarët e tyre të parët, duke harruar njëri-tjetrin dhe duke provuar që retorika e tyre kundër filozofisë Trump ishte e paqëndrueshme. Por, natyrisht një komb duhet të shohë mirëqenien e vetë dhe duke qenë i fortë dhe i begatë mund të kujdeset dhe për fqinjin.

Presidenti Trump erdhi në detyrë me platformën e tij për të ‘tharë moçalin’ – drain the swamp. Moçali personifikonte ‘establishmentin’ monopolin politik dhe ekonomik që prej 30-vitesh që pas përfundimit të luftës së ftohtë kishte bërë të mundur bashkimin e interesave të ngushta për përfitime të majme politike dhe ekonomike të së majtës dhe të djathtës.

Në Amerikë gjatë viteve që prej periudhës Regan dhe Bush, e majta kish shkuar më majtas dhe ishte veshur me parimet e socializmit e sot proteston nën ombrellën e Black Lives Matter dhe ANTIFA me grushtin lart dhe drapër e cekan. E djathta kish shkuar drejt qendrës dhe bënte pazare në emër të Amerikës. E paimagjinueshme për Amerikën e lirisë të bjerë në vorbullën e komunizmit klasik dhe parimeve të Leninit. Dhe Trump, pikërisht si Regan në 1980-ën,është ngritur kundër grupimeve pro socializmit dhe komunizmit; është ngritur kundër grupimeve që sulmojnë monumentet, kishat dhe identitetin kulturor amerikan;është ngritur kundër monopolit financiar e nuk lejon që Amerika të drejtohet nga udhëheqës korporatash e fondesh financiare që nuk njohin mëas sovranitet dhe as parime, e janë bërë më globalistë se globalizmi vetë.

Trump është ngritur kundër monopolit të fjalës së lirë ku mediat që dikur ishin të lira tani drejtohen nga një grusht njerëzish me interesa të ngushta financiare dhe janë gati të djegin edhe Amerikën- tokën e lirisë, për të ruajtur pushtetin e tyre duke shitur lajmin e tyre sado i rremë është ai. Fjala e lirë matet me para sot. Amerika nuk ështëvetëm e pronarëve të Facebook, Twitter e luginës Silikon dhe as e Bill Gates, Amerika është e amerikanëve të lirë që ndërtuan ëndrën amerikane. Amerika është e fermerit amerikan që ka vuajtur në këto 30 vite konkurueshmërinë pasi deri para katër vitesh prodhimet amerikane ishin reduktuar në minimum dhe SHBA vetëm importonte. Amerika është e punëtorit të fabrikave të prodhimit të makinave dhe metaleve, të prodhimit të industrisë së lehtë dhe të rëndë që deri në katër vite më parë ishin transferuar në Kinë, Meksikë, Lindje të largët dhe Amerikë Latine si rrjedhojë e politikave globaliste. Amerika është e klasës së mesme që kish humbur identitetin sepse edhe shërbimet ofroheshin nga off-shore dhe vende jashtë SHBA-së. Amerika është e veteranëve të luftës që kanë rënë në krye të detyrës për të shpëtuar popuj të tjerë nga tirania apo luftrat e parreshtura në botë. Amerika është e rinisë amerikane që ka humbur drejtimin arsimor me politika identitare dhe ku kërkimi shkencor ka shkuar drejt kompanive dhe jo më në Universitete. E pikërisht ishin këta që i dhanë fitoren Presidentit Trump në vitin 2016.

Presidenti Trump ka dhënë dhe recetën se si mund të arrihet rritja ekonomike. Nxitja e prodhimit vendas rrit ekonominë, e më pas ulja e taksave për bizneset dhe individët, heqja e rregullave të tepërta që i zejnë frymën sektorit privat dhe zvogëlimi i shtetit, duke e ndaluar atë të ndërhyjë në jetët e njerëzve, dhënia e incentivëve për sipërmarrjen dhe investitorët, bënë të mundur që rritja ekonomike të arrinte 3% në tremujorin e fundit të vitit 2017, dhe papunësia të ulej në rekord gjysmëshekullor, në 3.5%. Fortësia në themelet e ekonomisë amerikane është duke u vënë në dukje me rikuperimin që po bën nga kriza e pandemisë, ku në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 33.1%, në vlera vjetore.

Presidenti Amerikan ndaloi emigracionin e paligjshëm. Këtu ndodh dhe padrejtësia më e madhe nga mediat botërore, të cilat e cilësojnë Trump-in si anti-emigracion. Presidenti Amerikan ka përsëritur shpesh përgjatë mandatit të tij se kushdo që do të kontribuojë në ekonominë amerikane është i mirëpritur në SHBA, për sa kohë e bën në mënyrë të ligjshme. Kjo është një gjë e drejtë. Të gjithë e mbyllim derën e shtëpisë me çelës dhe nuk e bëjmë se jemi racistë apo ksenofob, por sepse kemi të drejtën të kontrollojmë se kush futet në pronën tonë. Shenjtëria e pronës së tyre i jep të drejtën çdo qytetari amerikan të dijë se kush shkon në vendin e tyre dhe për çfarë arsye. Muri i shumë përfolur me Meksikën ishte i nevojshëm, pasi sipas statistikave frenoi kalimin e jashtëligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore nga bandat.

Nga ana tjetër, kjo frenon shndërrimin kulturor të një kombi. Personat që shkojnë për një jetë më të mirë pikërisht nga kultura amerikane, por në mënyrë të jashtëligjshme, në shumë raste në vend që të përshtaten me të, përpiqen ta ndryshojnë. Dhe ndërkohë, jemi duke parë se çfarë pasojash ka lënë në Francë dhe në vende të tjera ky konflikt kulturor. Globalizmi bën që kulturat të harrohen dhe traditat të zhduken, duke inkurajuar emigracionin e jashtëligjshëm në drejtim të Perëndimit. Presidenti Trump ka dalë kundër pikërisht ndaj këtij sulmi.

Amerika e Para nuk do të thotë Amerika vetëm. Kështu deklaroi Presidenti Trump pak vite më parë në një fjalim përpara Organizatës së Kombeve të Bashkuara, teksa i ftonte liderët e vendeve anëtare të fokusoheshin te mirëqenia e popujve të tyre dhe së bashku të punonin mbi sfidat e shekullit, të luftonin komunizmin dhe terrorizmin dhe të ndalnin avancimin e vendeve autoritare si Kina, Rusia dhe Irani. Sipas Presidentit, kjo pjesë e doktrinës së tij mban emrin Realizmi i Principtë, dhe bazohet në idenë e bashkëpunimit për çështjet e mëdha të botës mes komunitetit ndërkombëtar duke reformuar disa organizata ndërkombëtare të cilat janë kthyer në robotë të stanjacionit dhe pas 70 vitesh shihen më tepër si mundësi rritje financiare për disa individë apo shtete dhe si qendra punësimi për botën e tretë.

Zgjimi i vendeve të Perëndimit nga rreziku kinez është ndoshta arritja më e madhe në politikën e jashtme e Trump-it. Prej dekadash, Perëndimi e kishte pranuar Kinën në komunitetin ndërkombëtar dhe kishin toleruar vjedhjet e pronësisë intelektuale, sulmet ndaj kompanive dhe shtetasve të huaj, prishjen e traktateve ndërkombëtare si dhe shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, me shpresën se Kina do liberalizohej dhe demokratizohej me kalimin e kohës.

Donald Trump, me anë të retorikës së vet, tarifave që përshkallëzuan në një luftë tregtare, dhe duke marrë etiketime si proteksionist dhe luftënxitës, arriti të krijonte një front Perëndimor kundër ekspansionit kinez – një front që është ende në hapat e para dhe ka nevojë dhe për një mandat të dytë të Trump për t’u konsoliduar.

Gjithashtu, Presidenti Amerikan ngriti çështjen e reformimit të NATO – një organizatë e cila prej mbarimit të luftës së ftohtë duhej të përgatiste strategjinë e re të zhvillimit për dy tre dekadat e ardhshme. Që prej krijimit të saj shumë shtete anëtare, besonin se NATO ishte thjeshtë njëbunker sigurie amerikan pasi edhe pjesa më e madhe e financimit të organizatëska ardhurnga SHBA-të. Ndërkohë ka vende që jo vetëm nuk paguajnë për sigurinë e tyre dhe të rajonit në terma real të prodhimit të brendshëm bruto, por marrin dhe gazin nga Rusia, pikërisht vendetë cilat NATO u krijua të mbrojë. Donald Trump, që akuzohet si personi i cili do ta shkatërrojë NATO-n, ushtroi presionin e nevojshëm që në të vërtetë kish nisurmë parë, gjatë mandatit të dytë të Presidentit Obama, që vendet që përfitojnë nga organizata dhe janë anëtare të paguajnë përqindjen e dakordësuarprej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shënuar gjatë dy viteve të fundit një rritje të buxhetit të Aleancës. Tani NATO i është nënshtruar një procesi ristrukturimi strategjik, ideor dhe strukturor.

Gjatë periudhës 4- vjecare të Presidentit Trump, Amerika jo vetëm nuk u përfshi në asnjë konflikt të ri ushtarak por u mundua të negociojë paqe mes disa popujve të konfliktuar. Kjo bëri të mundur kthimin e mijëra ushtarëve Amerikanë nëAmerikë, paqëtimin e Afganistanit, paqen Arabo -Izraelite ku tashmë disa shtete arabe kanë njohur Izraelin, zhdukjen e ISIS-it dhe i uli kokën Iranit duke grisur marrëveshjen famëkeqe me Iranin dhe duke vrarë trurin e grupit terrorist Hezbollah, marrëveshje në Jug lindje të Azisë dhe Paqësor si dhe marrëveshjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Për më tepër, dhe për përfitimin tonë, administrata Trump ka risjellë në vëmendjen e vetë Ballkanin e harruar nga administratat e mëparshme që pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Amerika e la në hije Ballkaninpër një kohë, duke i hapur rrugë fenomenit të stabilokracisë. Ndërkohë që niveli i demokracisë në Ballkan u lejua të binte dhe kjo i hapi rrugën lindjes së rregjimeve autokratike në rajon, dhe  vakumi i krijuar u mbush menjëherë nga Kina dhe Rusia. Trump u rikthye në Ballkan me filozofinë e tij të realizmit të principtë, për të hapur rrugën e zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi. Gjasat janë që në një mandat të dytë të tij, ky proces i nisur do të përfundojë.

Së fundmi, arritja me e madhe e Trump është rikthimi i vëmendjes te individi, i cili qëndron në qendër të shoqërisë. Është individi që krijon vende pune, që sjell inovacione, që mban sektorin publik dhe mbi fortësinë e të cilit varet qëndrueshmëria e shoqërisë. Individi i bën të tëra këto për shkak të dashurisë dhe lidhjes me tokën ku jeton, me familjen, traditat, kulturën dhe historinë e vet. Globalizimi përpiqet t’i zhdukë këto vlera, dhe në proces individi humb identitetin dhe dinjitetin e vet, duke e kthyer në një qënie lehtësisht të kontrollueshme. Modeli Trump përbuz servilizmin dhe varësinë nga qeveria, dhe inkurajon këdo që të besojë te vetja, te familja, te Zoti e te kombi dhe të jetojë, punojë, të krijojë dhe të shprehet i lirë.

Këto janë edhe arsyet pse Presidenti Trump do ti duhet Amerikës dhe botës edhe për një mandat të dytë dhe Shqiptarët si populli më i afërt shpirtërisht dhe historikisht në Europë do të gjejnë tek Amerika e Trump, mikun më të mirë që vepron dhe jo vetëm premton.