Krahas rritjes së mëtejshme të koronavirusit, me hapa edhe më galopante, po rritet shqetësimi i avokatit Ngjela, për korrupsionin e lartë shtetëror shqiptar.
Përmes një statusi të tij, tashmë të zakonshëm, avokati bën një analizë, shumë të thjeshtë, siç e thekson edhe ai vetë, duke shpjeguar se nga vjen ky korrupsion i madh dhe i tmerrshëm, që ka pushtuar mbarë Shqipërinë.
Sipas avokatit të ditur, burimi i vërtetë i këtij korrupsioni, është Enver Hoxha dhe regjimi i tij.
-Politika amerikane iu është zotuar shqiptarëve që do t'i çlirojë nga ky pushtim. - thotë avokati ynë i ndritur - dhe shqiptarët e kanë besuar dhe prandaj shqiptarët janë në pritje...
Në këtë postim telegrafik, avokati ynë plot dituri, nuk shpjegon nëse është më mirë, të fitojë presidenti Trump, apo Joe Biden. Njëkohësisht ai nuk shpjegon se cili prej këtyre të dyve, mund ta luftojë dhe ta vrasë menjëherë korrupsionin shqiptar, të mbetur këtu që nga koha e Enver Hoxhës.
PS. Për t'u njohur më gjerë dhe sidomos më thellë, me këtë shqetësim që ka mbërthyer avokatin, ju lutemi, lexoni statusin e tij të plotë!
/TPZ.al/Tej e këtej/
SPARTAK NGJELA - FAQJA ZYRTARE
Po ta shohësh me një sy analitik gjendjen e sotme plitiko-shoqërore të Shqipërisë, menjëherë e konstaton se korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar është rrjedhoje amorale e regjimit komunist të terrorit shtetëror.
Dhe, analiza është shumë e thjeshtë...
l.
Pse, ju mendoni se komunizmi ishte vetëm terror shtëtëror? Jo, komunizmi shqiptar, mbi të gjitha, ishte korrupsion moral, dhe korrupsioni moral e çonte regjimin direkt në terror shtetëror .
Kjo është arsyeja që sot Shqipëria në mbi 25 vjet, me radhë e njëra pas tjetrës, ka qeveritë më të korruptuara në glob. Korrupsioni moral i Enver Hoxhës e kompani, erdhi në Shqipëri në vitin 1991 dhe u përfshi gradualisht në një korrupsion material banditesk.
Pse, ju mendoni se Enver Hoxha e besonte që ai vetë po drejtonte komunizmin botëror?
Pse, ju mendoni se të gjithë lakejtë e tij terroristë, e besonin që Enver Hoxha ishte një njeri i madh që drejtonte komunizmin botëror?
As Hoxha dhe as lakejtë e tij nuk e besonin këtë, por, ata, me këtë gënjeshtër të madhe, mbanin pushtetin duke mashtruar dhe trembur popullin e varfër shqiptar, të izoluar nga e gjithë bota. Por, ata terroristë ama, vetë jetonin në kushte mirëqenieje ku e ku mbi popullin.
Ky ishte korrupsioni moral i komunizmit shqiprar, me liderë që urrenin popullin e vet.
ll.
E pra, e njëjta gjë është edhe sot: është po ajo frymë hoxhiste që kthehu timonin: nga një dhunë korruptive morale dje, që ushtrohej me terror për të mbajtur pushtetin, në një vjedhje të madhe korruptive sot, që iu bëhet shqiptarëve përditë, dhe që pastaj, me paratë e grabitura nga populli i varfër, kjo klikë të mbajë pushtetin, me të gjithë plejadën e korrupsionit aktual shqiptar.
Ja kjo është gjendja. Prandaj është e rëndë, se korrupsioni i lartë shtetëror është realisht një pushtues barbar i Shqipërisë.
E pra, për ta mbyllur analizën e kësaj të vërtete, tani na duhet të ngremë këtë pyetje: a do t'i shpëtojë politika amerikane shqiptarët nga ky pushtim makabër?
Politika amerikane iu është zotuar shqiptarëve që do t'i çlirojë nga ky pushtim.
Dhe shqiptarët e kanë besuar, dhe prandaj shqiptarët janë në pritje...