AKTUALITET, 26 October 2026, 10:48

Strehimi/ Shpallen 1500 fituesit për kredi të buta nga Bashkia e Tiranës, lista me emra do i kalojë për miratim Këshillit Bashkiak

Strehimi/ Shpallen 1500 fituesit për kredi të buta nga Bashkia e

Bashkia e Tiranës ka shpallur rreth 1500 fituesit e radhës nga aplikimet për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, një mundësi e rëndësishme për familjet që synojnë të blejnë një banesë në kryeqytet.

Lista e aplikuesve të shpallur fitues, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë, është dërguar për miratim në mbledhjen e muajit tetor të Këshillit Bashkiak.

Programi për subvencionimin e interesave të kredive, i cili zbatohet prej disa vitesh, ka qenë një nga nismat e para të kryebashkiakut Erion Veliaj në fillim të detyrës së tij.

Ai synon të lehtësojë barrën financiare për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke subvencionuar një pjesë të interesit të kredisë për blerjen e një banese. Përmes këtij mekanizmi, përfituesit kanë mundësi të sigurojnë një shtëpi me kushte më të favorshme financiare, ndërsa kredia shlyhet me një normë interesi prej 3%, sipas kushteve të programit.

Pas miratimit të listës nga Këshilli Bashkiak, fituesit duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të cilat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje, për të vijuar procedurat e përfitimit të kredisë së butë për blerjen e banesës.

Vlera e kredisë që përfiton çdo aplikues përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të programit.

Për shumë familje që përballen me vështirësi për të përballuar kostot e larta të banimit, ky program përbën një mundësi konkrete për të pasur një shtëpi të tyren.