AKTUALITET, 27 August 2026, 10:39

"Do të copëtoheni, të pafe"/ Zbardhet mesazhi terrorist për institucionet: Kemi vendosur bombë, do të shpërthejë pas dy orësh

Gazetari Esido Barkaj ka zbardhur mesazhin që ka mbërritur në adresat e email të disa institucioneve në vend.

“Përshëndetje. Ky është shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pa fe do të coptoheni.

Allahu Akber” , thuhet në mesazh.

Ky email është dërguar nga një adresë e paidentifikuar. Policia e Shtetit ka nisur kontrollet me qen në institucionet ku ka mbërritur email, por deri më tani nuk kanë konstatuar asnjë gjë.

“Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime”, njoftoi policia.