AKTUALITET, 27 August 2026, 10:24

Detaje/ 'Kemi vendosur bombë', SPAK e GJKKO mes institucioneve të kërcënuara. Efektivët e Antiterrorit 'zbarkojnë' me qen dhe pajisje të specializuara

Efektivë të Antiterrorit kanë zbarkuar në ambientet e SPAK dhe GJKKO pas një alarmi për bombë.

Sipas informacioneve, një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste është dërguar në orare të ndryshme në disa institucione, ku pretendohet se janë vendosur lëndë plasëse dhe do të shpërthejë për 2 orë. Mes institucioneve të përmendura në mesazh janë edhe SPAK dhe GJKKO.

Në pamjet e siguruara, shihen specialistët e Antiterrorit me pajisje të posaçme, si dhe qen të specializuar për zbulimin e eksplozivëve.

Aktualisht po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme në ambientet e institucioneve, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë.

Autoritetet vijojnë kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e dërgimit të emailit kërcënues.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.