AKTUALITET, 17 August 2026, 11:58

Detaje/ U vëzhgua me dron ‘Bayraktar’, si u zbulua vendi ku fshihej Ylli Zalla. Ishte i armatosur me automatik

Për ngjarjen e ndodhur të shtunën në mbrëmje vonë, policia u njoftua paraditen e së dielës nga bashkëshortja e Zallës që ndodhej në Itali, ndërsa dyshimet ishin që autori të jetë vetë ai. Por në një video, 49-vjeçari mohoi që të ishte ai personi që kishte vendosur tritolin me qëllim azilin politik, teksa akuzoi Policinë dhe bandat e krimit të organizuar se po përpiqen ta vrasin.

“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, tha ai.

Zalla ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2025 si i dyshuar se kishte lidhje me atentatin e Rinasit të nëntorit 2025 ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani pas zbulimit të arsenalit të armëve në banesën e tij, por ekspertiza e kryer më vonë rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Më 20 shkurt të këtij viti, Zallës iu gjet një tjetër arsenal armësh me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale. Edhe në një operacion në mars, në oborrin e banesës së tij u gjet një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës. Më 23 qershor, kur pati një tjetër tentativë për arrestimin e tij, iu gjetën pistoletë, fishekë, një celular dhe një detektor frekuencash.

12 vjet më parë Zalla është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. 

Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni i Policisë së Shtetit dhe forcave RENEA për kapjen e Ylli Zallës, i cili ishte shpallur në kërkim prej vitit 2025.

Ai u vu në pranga në orët e parë të mëngjesit të kësaj të hënë në Krujë. Lajmin e konfirmoi vetë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili përgëzoi realizmin me sukses të operacionit për kapjen e Zallës.

Burime konfirmojnë se në momentin e arrestimit, Ylli Zalla ishte i armatosur me kallashnikov me tre krehëra fishekë. Ai qëndronte i fshehur në një zonë të pyllëzuar, pranë banesës së tij në fshatin Zallë.

Zona ku fshihej Zalla u mbajt prej ditësh ne vëzhgim me dron të teknologjisë se larte ‘Bayraktar’ nga Forcat Operacionale të drejtorisë së Policisë Tiranës. Zalla fshihej rreth 500 metra larg nga shtëpia e tij, ku mbrëmjen e se shtunës u vendos një sasi tritoli.