AKTUALITET, 4 November 2026, 18:12

Detaje të reja nga krimi në familje në Bulqizë/ Urim Fikun e vranë me pistoletë dhe sëpatë, më pas i prenë rrobat dhe i hodhën në WC të banesës

Detaje të reja nga krimi në familje në Bulqizë/ Urim Fikun e

Ngjarja e rëndë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku fillimisht u raportua se 53-vjeçari Urim Fiku kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari, ka marrë një kthesë tronditëse pas hetimeve të Policisë dhe ekspertizës mjekoligjore.

Nga këqyrja e trupit të viktimës nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të mbërritur nga Tirana, rezultoi se 53-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri dhe më pas ishte goditur në kokë me një mjet të fortë prerës, që dyshohet të jetë sëpatë.

Për ngjarjen janë arrestuar bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali i tij, Gëzim Fiku, 33 vjeç. Të dyshuarit akuzohen për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.

U qëllua pas shpine me pistoletë, më pas u godit me sëpatë

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Fillimisht, Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb pistolete. Sipas ekspertizës, predha ka qenë tejshkuese, duke hyrë nga pjesa e pasme e trupit dhe duke dalë në gjoks.

Por kjo nuk ishte e vetmja plagë e konstatuar në trupin e 53-vjeçarit. Ekspertët kanë evidentuar edhe një dëmtim të rëndë në kokë, të shkaktuar me një mjet të fortë prerës, që dyshohet të jetë sëpatë.

E dërguan në spital duke pretenduar se kishte vdekur nga ariu

Sipas informacioneve të publikuara, bashkëshortja dhe djali i viktimës e kanë transportuar atë në spitalin e Bulqizës, duke pretenduar se kishte nevojë për një vizitë mjekësore, pasi ishte gjetur pa shenja jete.

Pas ekzaminimit, mjekët konstatuan se Urim Fiku kishte ndërruar jetë. Në këto rrethana, familjarët kërkuan të tërhiqnin trupin për të vijuar me ceremoninë mortore.

Megjithatë, dyshimet e krijuara gjatë ekzaminimit bënë që personeli mjekësor të njoftonte Policinë, e cila nisi verifikimet dhe veprimet hetimore.

Pas ekspertizës mjekoligjore u konstatua se vdekja ishte shkaktuar nga plagët e marra prej armës së zjarrit dhe goditjes me mjet të fortë, duke rrëzuar pretendimin fillestar për sulmin nga ariu.

Motivi i dyshuar, xhelozia për një lidhje jashtëmartesore

Gjatë marrjes në pyetje, Sadete Fiku dyshohet se ka treguar detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes. Sipas saj, motivi i krimit lidhej me xhelozinë, pasi bashkëshorti i saj, Urim Fiku, kishte krijuar një lidhje paralele me një grua tjetër.

Ajo ka treguar gjithashtu se vrasja ishte kryer me armë zjarri pistoletë, të cilën fillimisht e kishte fshehur në një vend dhe më pas ia kishte treguar të birit.

Sipas dëshmisë së saj, djali, Gëzim Fiku, e kishte marrë armën dhe e kishte fshehur në një vend tjetër, për të cilin ajo pretendon se nuk kishte dijeni.

Detaje të reja nga krimi në familje në Bulqizë/ Urim Fikun e

Tentuan të fshihnin gjurmët, ndërruan rrobat e viktimës

Një tjetër detaj tronditës që del nga hetimet lidhet me veprimet e dyshuara të nënë e bir pas ngjarjes.

Sipas informacioneve të publikuara, për të fshehur plagën e shkaktuar nga arma e zjarrit, ata dyshohet se i kanë hequr rrobat Urim Fikut dhe i kanë veshur të tjera.

Ndërkohë, rrobat e hequra nga trupi i viktimës dyshohet se janë prerë me gërshërë nga djali i tij, Gëzim Fiku, dhe më pas janë hedhur në tualetin e banesës.

Policia ka sekuestruar rrobat në cilësinë e provës materiale, ndërsa si provë është marrë edhe arma e zjarrit, të cilën, sipas hetimeve, e ka treguar vetë djali i viktimës.

Nënë e bir janë arrestuar dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.

Të dy pritet të dalin në ditët në vijim përpara Gjykatës së Dibrës, ku do të njihen me masën e sigurisë që do të kërkojë Prokuroria.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej të dyshuarve.

Detaje të reja nga krimi në familje në Bulqizë/ Urim Fikun e