AKTUALITET, 4 November 2026, 17:02

Shpërthimi tragjik në Elbasan/ Kryebashkiaku: 10 persona në spital, vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin e zhdukur

Shpërthimi tragjik në Elbasan/ Kryebashkiaku: 10 persona në

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka dhënë detaje për mediat lidhur me shpërthimin e fuqishëm në pallatin 5-katësh, i cili shkaktoi dëme të rënda strukturore dhe i mori jetën një 83-vjeçareje.

Sipas tij, 10 persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe për kontrolle, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e një 69-vjeçari, i cili rezulton ende i pagjetur.

Llatja bëri të ditur se nga shpërthimi është dëmtuar rëndë struktura e pallatit. Sipas tij, një pjesë e katit të katërt është shembur mbi katin e tretë, ndërsa janë dëmtuar edhe shkallët lidhëse nga kati i tretë deri në katin e pestë.

Ai sqaroi se fillimisht shpërthimi është shoqëruar me zjarr në katin e tretë, i cili më pas është përhapur në ndërtesë.

Gjithashtu, kryebashkiaku bëri me dije se njëri prej sektorëve të pallatit është bërë i pabanueshëm, ndërsa problemet strukturore mund të bëjnë të nevojshëm shpalljen të pabanueshme edhe të pjesëve të tjera të ndërtesës.

Deklarata e plotë e Gledian Llatjas:

“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.

Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.

Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.