AKTUALITET, 5 November 2026, 10:04

Detaje/ Tragjedia me dy të vdekur në Elbasan, Policia: Shpërthimi dyshohet se u shkaktua nga prania e gazit në banesën e 69-vjeçarit që mbeti viktimë

Detaje/ Tragjedia me dy të vdekur në Elbasan, Policia: Shpërthimi

Policia e Elbasanit thotë se shkak i shpërthimit të fuqishëm në pallati9n në Elbasan, që shkaktoi 2 viktima, është bërë rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ky i fundit u gjet mes rrënojash pas orësh kërkime.

Policia thotë se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat, që shembi totalisht 2 kate të pallatit dhe e bëri atë të pabanueshëm. 10 persona u lënduan dhe shkuan në spital, ndërsa përveç pronarit të banesës, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga shpërthimi dhe zjarri që përfshiu një apartament në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. Policia bën me dije se pas disa orësh kërkimesh intensive, rreth orës 00:40, u gjet trupi i pajetë i pronarit të banesës, 69-vjeçarit Hamit Ibra.

Ndërkohë, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 10 banorë të tjerë të pallatit mbetën të dëmtuar. Ata morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali. Shpërthimi dhe zjarri shkaktuan gjithashtu dëme të shumta materiale.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë prania e një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit. Në operacionin për kërkimin e tij u angazhuan Policia e Elbasanit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimet zjarrfikëse.

Grupi i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijon këqyrjen e vendngjarjes dhe hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e shpërthimit.

Elbasan/ Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.