AKTUALITET, 3 September 2026, 11:39

Detaje/ Identifikohen personat që iu vendos eksploziv në Durrës, dy shpërthime brenda 40 minutash

Identifikohen personat, pronat e të cilëve u shënjestruan me lëndë plasëse në dy ngjarje të ndodhura në orët e para të mëngjesit në Durrës.

Shpërthimi i parë u regjistrua rreth orës 03:50 në lagjen nr. 11, ku në derën e jashtme të një lokali në pronësi të Gëzim Kajnos u hodh një sasi e vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi u shkaktuan dëme të lehta materiale.

Rreth 40 minuta më vonë, në orën 04:30, një tjetër shpërthim u regjistrua në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq. Sipas të dhënave, lënda plasëse u hodh në derën e garazhit të një automjeti në pronësi të Bujar Xhepaxhiut, duke shkaktuar dëme materiale.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy ngjarjeve, ndërsa grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për mbledhjen dhe administrimin e provave.

Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditura motivet e shpërthimeve dhe nuk ka një konfirmim zyrtar nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacione paraprake

Rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, Durrës, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.

Gjithashtu, rreth orës 04:30, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për mbledhjen dhe administrimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.