BOTA, 24 Nëntor 2021, 12:55

Samiti i demokracisë, Biden fton Tajvanin por lë jashtë Kinën

Samiti i demokracisë, Biden fton Tajvanin por lë jashtë

Në samitin për demokracinë të organizuar nga Shtëpia e Bardhë në datat 9 dhe 10 dhjetor, janë të ftuar 110 vende. Por ajo që bie në sy është lënia jashtë kësaj liste të Kinës, Turqisë dhe Hungarisë së Orban . Në listën e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të shtetit figurojnë aleatët europianë, Iraku dhe India, por mungon Kina.

Vendimi i presidentit amerikan Biden është pasojë e tensioneve mes Uashingtonit dhe Pekinit, i cili është akuzuar disa herë nga administrata Biden për shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjang, Tibet dhe Hong Kong.

Në listën e të ftuarve në samit është Tajvani, një zgjedhje që rrezikon të komprometojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve mes Joe Biden dhe Xi Jinping. Mes të përjashtuarve është dhe Turqia dhe pse është aleat i SHBA në NATO, Hungaria e Viktor Orban dhe të gjithë partnerët kryesorë arabë si Egjipti, Arabia Saudite, Jordania, Katari dhe Emiratet Arabe.

Biden premtoi në vitin e parë të presidencës së tij se do të promovonte një samit botëror ku do të ishin të pranishëm vende që mendojnë njësoj për sa i përket luftës ndaj korruprionit, autoritarizmit dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Joe Biden ka ftuar Brazilin dhe pse presidenti i vendit Bolsonaro, përfaqësues i së djathtës, është kritikuar për shkak të qëndrimit autoritar dhe ka qenë një mbështetës i fortë i Donald Trump. Në Europë Polonia është ftuar në samit pavarësisht tensioneve të vazhdueshme me Bashkimin Europian për situatën e emigrantëve në kufi me Bjellorusinë.