BOTA, 22 Nëntor 2021, 18:34

SHBA/ Incidenti në paradën e Krishtlindjeve, dyshime se autori po përpiqej të largohej nga një tjetër skenë krimi

SHBA/ Incidenti në paradën e Krishtlindjeve, dyshime se autori po

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë nëse drejtuesi i një automjeti të llojit fuoristradë, i cili goditi pjesmarrësit në një paradë me rastin e Krishtlindjeve që po mbahej në një qytezë në periferi të Miluakit, po përpiqej të largohej nga një tjetër skenë krimi. Lajmi u bë i ditur për Associated Press nga një zyrtar i zbatimit të ligjit. Si pasojë e incidentit gjetën vdekjen të paktën pesë persona dhe u plagosën më shumë se 40 të tjerë.

Mes viktimave disa ishin anëtarë të klubit “Dancing Grannies”, “Gjyshet kërcimtare”.

Autoritetet thanë se një oficer policie i qytetit Uaukesha hapi zjarr në përpjekje për të ndaluar automjetin. Ata njoftuan gjithashtu dhe për arrestimin e një personi.

Duke folur në kushte anonimiteti, dy zyrtarë të zbatimit të ligjit, e identifikuan personin e ndaluar si Darrell Brooks, 39-vjeç.

Të dhënat e gjykatës në internet tregojnë se një person i quajtur Darrell Brooks, 39 vjeç, ka dy çështje të hapura penale në kontenë Miluaki, një më pesë nëntor të këtij viti dhe një tjetër në korrik të vitit 2020. Ndër të tjera ai është akuzuar për kundërshtim ose pengim të punës së një oficeri policie apo armëmbatje.

Hetuesit thanë për Associated Press se po merrnin në pyetje personin në paraburgim për një krim të kryer më herët, të cilin një nga zyrtarët e përshkroi si një incident me thikë. Zyrtari tha se hetimi ishte ende në fazat e hershme të tij.

Shefi i policisë së Uaukeshas, Dan Thompson nuk dha detaje lidhur me personin apo rreth motive të mundshme të ngjarjes. Zoti Thompson tha se ai nuk e dinte nëse drejtuesi i automjetit ishte plagosur nga plumbat e oficerit të policisë, por shtoi se asnjë kalimtar nuk ishte plagosur prej tyre.

Grupi i qytetit Miluaki “Dancing Grannies” shkruante në faqen e tij në Facebook se disa nga anëtarët e tij ishin mes personave që kishin humbur jetën. Grupi e përshkruan veten si një grup gjyshesh që mblidhen një herë në javë për të praktikuar kërcimet për paradat e verës dhe dimrit.

Mes të plagosurve ishte një prift katolik, famullitarë e nxënës të shkollës katolike Uaukesha.

Distrikti shkollor i Uaukeshës anuloi mësimet të hënën dhe tha se nxënësve dhe stafit pedagogjik u ishin vënë në dsipozicion këshilltarë shtesë.

Parada, mbahet çdo vit, të dielën përpara Ditës së Falënderimeve. Ajo sponsorizohet nga Dhoma e Tregtisë së qytetit. Ngjarja e këtij viti, e 59-ta e organizuar, titullohej "rehati e gëzim".

Qyteza e Uaukeshas ndodhet në periferi të Miluakit, rreth 90 kilometra nga Kenosha, qyteti ku disa ditë më parë Kyle Rittenhouse u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e dy personave e plagosjen e një të treti, gjatë protestave të dhunshme që përfshinë në këtë qytet në gusht 2020. /VOA/