AKTUALITET, 16 October 2026, 15:25

Policia/ Protestat, 152 të arrestuar dhe 324 nën hetim në tre ditë, 127 vetëm në Tiranë! 23 u kapën në Durrës, 2 në Korçë

Policia/ Protestat, 152 të arrestuar dhe 324 nën hetim në tre

Në tre ditë protesta të dhunshme në Tiranë dhe një ditë në rrethe, Policia e Shtetit ka arrestuar gjithsej 152 persona, ndërsa 324 të tjerë janë vënën nën hetim në gjendje të lirë. Bilanci më i lartë i arrestimeve është regjistruar në Tiranë ku protestat kanë qenë të dhunshme dhe me akte vandale, ku në tre ditë janë vënë në pranga 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar penalisht. Në qarqet e tjera janë arrestuar gjithsej 25 persona, nga të cilët 23 në Durrës dhe 2 në Korçë.

Deri në këto momente:

-në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike;

-në Durrës, janë arrestuar në flagrancë 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore, pronave publike dhe private;

-në Korçë, janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, për kundërshtim dhe dhunë ndaj  punonjësve të Policisë dhe për shkatërrimin, me sende të forta dhe me zjarr, të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike;

-në Vlorë, janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtim të punonjësve të Policisë, goditje me sende të forta të fasadës së një institucioni, si dhe dëmtimin e pronës publike.

-në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike dhe private. Gjatë protestës u plagos rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

-në Elbasan, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, për dëmtimin e xhamave të godinës së një institucioni shtetëror, të sinjalistikës rrugore dhe të tabelave të reklamave, dhe pronës publike; 

-në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për dëmtimin të sinjalistikës rrugore, tabelave dhe reklamave. 

Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie.