AKTUALITET, 16 October 2026, 14:46

Ministri i Brendshëm, Demo: Shteti do të bëjë gjithçka për të garantuar rendin. Shoqëria të distancohet nga dhuna

Ministri i Brendshëm, Demo: Shteti do të bëjë

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka deklaruar se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat ligjore për të mbrojtur rendin publik dhe bizneset private, pas shqetësimeve të shtuara nga sulmet e ditëve të fundit. Në një lidhje për “Shqipëria Live” në Top Channel, ai tha se e drejta për protestë do të garantohet, por kërkoi që shoqëria të distancohet nga grupet e organizuara që sulmojnë Policinë, institucionet dhe subjektet private.

Demo theksoi se studentët që duan të protestojnë paqësisht do të kenë mbështetjen e Policisë për garantimin e sigurisë, ndërsa për dhunën tha se ka ardhur momenti për një reagim të qartë shoqëror.

Gazetarja Demiraj: Në fakt ka një reagim nga bizneset private se tashmë gjithkush ndihet i rriskuar. Bizneset e vogla, biznese të mëdha janë duke pajtuar kompani private për të ruajtur biznesin e tyre. Si duhet, si i mbron shteti këto biznese dhe nëse do të reagojë kompania e policisë private ndaj protestuesve që vërshojnë drejt tyre, a duhet të reagojë? A shkojmë kështu drejt një lufte civile?

Ministri Demo: Ju garantoj që Policia e Shtetit do të marrë të gjitha hapat, siç ka edhe detyrimin ligjor për të ruajtur rendin publik, por ne kërkojmë dhe bashkëpunimin e shoqërisë shqiptare.

Mua më vjen shumë mirë që ju bëni këtë pyetje, por unë shpresoj shumë që ju këtë pyetje, t’ia bëni dhe atyre qarkullojnë me maska në Tiranë dhe djegin biznese. Besoj që, e para duhet bërë pyetja atje. 

Unë ju garantoj që shteti do të bëjë gjithçka, konform ligjit, për të garantuar rendin publik. Por ajo çfarë unë kërkoj sot është është që në ndërgjegjen e çdo qytetari, ne të reflektojmë për atë çfarë ka ndodhur gjatë tre ditëve të fundit dhe kjo nuk ka të bëjë me të drejtën për të protestuar. Absolutisht jo. 

Unë kam qenë pedagog dhe i garantoj gjithë studentët, nëse duan të protestojnë, do ta kenë Policinë e Shtetit aty, për të garantuar që protesta e tyre të organizohet dhe të vazhdojë siç e mendojnë ata.

Por, që të ketë grupe të organizuara, për të dhunuar Policinë e Shtetit, për të dhunuar institucionet publike, për të dhunuar subjektet private, unë besoj që këtu ka ardhur momenti që vetë shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe ne duhet të mbajmë një qëndrim si shoqëri kundër këtyre akteve të dhunës.