BOTA, 28 Maj 2023, 13:28

Furnizimi i Ukrainës me avionë F-16, Lavrov: Perëndimi po luan me zjarrin

Furnizimi i Ukrainës me avionë F-16, Lavrov: Perëndimi po luan me
Sergei Lavrov

Kryediplomati rus paralajmëroi shtetet perëndimore se “po luajnë me zjarr”, pasi janë pajtuar që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit amerikan, F-16.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, tha se ky vendim “është një përshkallëzim i papranueshëm” i konfliktit, teksa shteti i tij po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

“Pa dyshim, ata po luajnë me zjarr”, tha Lavrov gjatë një interviste për një televizion rus, që u publikua në rrjetet sociale.

Ai tha se ky vendim i Uashingtonit, Londrës dhe “satelitëve të tyre në Bashkimin Evropian” synon “të dobësojë Rusinë”.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të mundësohet trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka treguar nëse do të dërgojë në Ukrainë këto lloje avionësh.

Ndërkaq, shtetet e tjera, përfshirë ato të NATO-s, kanë ofruar që të trajnojnë pilotët ukrainas që të përdorin F-16.

Ukraina që në nisje të pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, ka kërkuar nga aleatët që t’i dërgojnë avionë të sofistikuar.

Me këtë vendim, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bërë një kthesë, pasi për më shumë se një vit ka refuzuar të miratojë dërgimin e avionëve apo trajnimin e pilotëve nga frika se diçka e tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë.

Pas vendimit për lejimin e trajnimit të pilotëve ukrainas, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se trajnimi nuk nënkupton që aleanca ushtarake është pjesë e konfliktit.