AKTUALITET, 24 July 2026, 11:36

Bilanci në grupin e PS/ Kryetari i Kuvendit: Modernizimi i institucionit në funksion të Shqipërisë në BE

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi prezantoi sot bilancin e punës së Kuvendit gjatë dy sesioneve të para të Legjislaturës së XI, duke e cilësuar këtë periudhë si një fazë reformash dhe modernizimi institucional, në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Kuvendi ka forcuar tre funksionet e tij kushtetuese, ligjvënës, mbikëqyrës dhe zgjedhës, duke miratuar 131 ligje, rreth 40 më shumë se në dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar procesit të integrimit europian, me shqyrtimin e projektligjeve për përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, monitorimin e negociatave dhe miratimin me konsensus të Rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare, u vu në dukje zbatimi i një modeli të ri, të orientuar drejt vlerësimit të performancës së institucioneve dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, si dhe hartimi për herë të parë i Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare.

Kryetari i Kuvendit ndaloi edhe te modernizimi teknologjik i institucionit, duke veçuar përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin automatik të mbledhjeve parlamentare dhe zhvillimin e platformës Media Hub AI, e cila do të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në veprimtarinë parlamentare.

Në fjalën e tij u vlerësua edhe roli i diplomacisë parlamentare në mbështetje të procesit të integrimit europian, përmes intensifikimit të bashkëpunimit me Parlamentin Europian, parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Kongresin Amerikan dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sesioni i ardhshëm do të organizojë Konferencën Ndërparlamentare si një nga ngjarjet më të rëndësishme, shprehet ai.

“Në javët e para të sesionit të ri parlamentar Kuvendi do të organizojë Konferencën Ndërparlamentare që do të mbledhë në Tiranë përfaqësues të parlamenteve të 27 anëtarëve të Bashkimit Europian, të vendeve kandidate, PE dhe KE. Ky do të jet ënjë nga forumet më të rëndësishme parlamentare në Shqipëri dhe një mbështetje politike ndaj objektivit tonë strategjik, anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kuvendi ka qenë ambasador i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit”, tha Peleshi.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për kontributin e tyre në veprimtarinë parlamentare, diplomacinë parlamentare dhe angazhimin në komunitet, duke theksuar se faza përfundimtare e procesit të integrimit europian kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.