TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Stuhitë e forta të paralajmëruara nga meteorologët kanë përfshirë disa zona të vendit, duke shkaktuar reshje intensive shiu, breshër dhe dëme të lehta.
Në Elbasan, reshjet e dendura zgjatën rreth 40 minuta, duke mbuluar rrugët me breshër dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Sipas Emergjencave Civile, gjatë 38 minutave janë regjistruar rreth 40 mm shi dhe breshër.
Disa bodrume u përmbytën, ndërsa ekipet zjarrfikëse ndërhynë për largimin e ujit. Në qytet u rrëzuan edhe disa pemë, por pa shkaktuar dëme. Stuhia përfshiu gjithashtu disa fshatra përreth, si dhe zonat e Librazhdit dhe Prrenjasit.
Reshje të dendura breshëri dhe erëra të forta janë regjistruar edhe në Korçë dhe zonat përreth. Një pemë u rrëzua në qytet, duke bllokuar një pjesë të trotuarit, por pa pasoja për qytetarët.
Ndërkohë, një ngjarje më e rëndë është regjistruar në fshatin Derdush të Pogradecit, ku një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja. Si pasojë, rreth 10 krerë bagëti të imta kanë ngordhur, ndërsa 17 të tjera janë plagosur.
Tufa, me rreth 190 dele dhe dhi në pronësi të Tatjana Biçokut, ishte duke lëvizur nga zona e Pirgut drejt kullotave malore kur u godit nga rrufeja. Pas përfundimit të stuhisë, ekipet kanë nisur verifikimin e dëmeve të tjera të mundshme.