AKTUALITET, 24 July 2026, 20:45

“Isha te terapia e djalit”/ Rama akuzoi protestuesit, shqiptarët mbledhin 151 mijë dollarë për nënën dhe të birin autik

Një ditë pas incidentit në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku një nënë me djalin e saj autik u prek nga uji me piper i përdorur nga policia, ka vijuar përplasja e deklaratave mes palëve.

Nëna, e identifikuar si File, ka deklaruar pas ngjarjes se nuk ishte pjesë e protestës, por po kthehej në shtëpi pas përfundimit të terapisë së djalit të saj.

“Isha duke ikur në shtëpi. Dua vetëm të iki në shtëpi. Na hodhën piper në sy dhe ujë. Turp të kenë”, u shpreh ajo pas incidentit.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka akuzuar protestuesit, duke deklaruar se nëna dhe djali i saj ishin marrë me vete në protestë dhe ishin përdorur si “viktima” ndaj policisë.

Sipas Ramës, ajo situatë ishte pjesë e një skenari të organizuar nga protestuesit, ndërsa shtoi se qeveria ka rritur mbështetjen për fëmijët me spektrin autik dhe familjet e tyre.

“Përjetimi i asaj nëne është tjetër. Ajo mund të mos jetë e informuar, por atë e futën në fundin e hendekut dhe e përdorën për qëllimet e tyre”, deklaroi Rama.

Megjithatë, nëna ka vijuar t’i qëndrojë të njëjtit version, duke theksuar se ishte duke u kthyer nga terapia e djalit dhe nuk kishte marrë pjesë në protestë.

Historia e saj ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa përmes një fushate GoFundMe janë mbledhur rreth 151 mijë dollarë brenda pak orësh.

Deklarata e Ramës është shpërndarë edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka reaguar duke publikuar videon e nënës dhe djalit dhe duke kritikuar ashpër kryeministrin.