BALLKAN, 6 Mars 2023, 13:49

Vjosa Osmani: Epopeja e UÇK-së është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë sonë

Vjosa Osmani: Epopeja e UÇK-së është epope e dinjitetit,

Presidentja Vjosa Osmani tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë.

Kështu deklaroi ajo në seancën solemne për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, e cila nisi me një minut heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

Osmani tha se ngjarjet e 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 përbëjnë “jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri”.

“Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimi të vajzave dhe djemve të UCK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz, në një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, fituan përjetësinë”, tha ajo.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

“U jemi mirënjohës përjetësisht të gjithë burrave dhe grave të UÇK-së të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë, përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë”, tha Osmani.

Dje në Kosovë ka nisur shënimi i manifestimit treditor të UÇK-së.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.