BALLKAN, 30 Maj 2023, 17:06

Serbët në Veri sulmojnë ekipet e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë!

Serbët në Veri sulmojnë ekipet e mediave, Asociacioni i

Dhuna në veri të Kosovës nuk ka kursyer as gazetarët dhe grupet e xhirimit. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ekipi i RTV21, i përbërë nga gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani, Berat Bahtiri, janë sulmuar fizikisht nga serbët derisa po raportonin në sheshin Car Llazar. Kjo media ka njoftuar AGK-në, se krahas sulmit fizik ndaj kameramanit, atij i është marrë edhe pajisja me të cilën ishte duke xhiruar.

Ekipi ka njoftuar AGK-në se aktualisht janë duke dhënë deklaratë rreth sulmit në Policinë e Kosovës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me pamjet e sulmit ndaj kameramanit dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që ta trajtojnë rastin sa më parë në mënyrë që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë. AGK i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të raportojnë pa u rrezikuar.

Kujtojmë se mediat kosovare kanë raportuar disa incidente lidhje me disa gazetarë të dhunuar apo operatorë, mes tyre gazetarja e T7, Arianitë Zhegrova. Kjo e fundit u sulmua gjatë një lidhjeje direkte në edicionin e lajmeve në orën 15:00. Ndërkohë, sot pre e dhunës u bënë dhe 3 televizione shqiptare nga Shqipëria, mjetet e të cilave u sulmuan me gurë.