BALLKAN, 31 Maj 2023, 19:19

Ish-ambasadori i SHBA në NATO: Kosova të ulë tensionet, Perëndimi t’i kundërvihet nacionalizmit serb

Ish-ambasadori i SHBA në NATO:  Kosova të ulë tensionet,

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker thotë se qeveria e Kosovës gaboi që veproi në Veri pa u këshilluar me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, por shton se Perëndimi nuk duhet të neglizhojë prirjet nacionaliste që ai thotë se po ndjek Serbia në rajon.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Volker, ekspert në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, i bën thirrje qeverisë së Kosovës të marrë masa për të ulur tensionet, por thotë se edhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian, duhet të angazhohen për të zmbrapsur përpjekjet që rrezikojnë gërryerjen e sovranitetit të Kosovës. Me zotin Volker bisedoi kolegia Keida Kostreci.

Zëri i Amerikës: Ambasador Volker, cili është mendimi juaj për tensionet e fundit në Veri të Kosovës dhe përshkallëzimet atje?

Kurt Volker: Së pari duhet të them se është një gjendje shumë e rrezikshme. Kemi parë shumë herë në të kaluarën se si nacionalizmi etnik ka shpërthyer në konflikt të hapur në Ballkan. Një gjë e tillë duhet parandaluar me çdo kusht. Duke pasur parasysh këtë, mendoj se veprimet e policisë së Kosovës ishin të tepruara. Ata duhet të kishin vepruar me më shumë maturi. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se arsyeja se pse filloi e gjitha, ishte veprimtaria disavjeçare nacionaliste e Serbisë në Kosovë, në Bosnje, në Mal të Zi dhe në vetë Serbinë dhe nuk ka patur përpjekje për ta frenuar atë.

Mendoj se kjo krijoi një situatë ku Kosova pati ndjesinë se po gërryhej sovraniteti i saj. Refuzimi i komunitetit serb (në Kosovë) për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, përpjekjet për të krijuar Asociacionin e komunave me mbështetjen e Serbisë, të gjitha këto krijuan përshtypjen se Serbia po përpiqej të ndërhynte brenda Kosovës, gjë që natyrisht, ishte e papranueshme për autoritetet e Kosovës.

Në këto kushte, zgjidhja është më shumë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, që duhet të zmbrapsin këto prirje nacionaliste dhe duhet t’i përqendrojnë përpjekjet tek krijimi i stabilitetit dhe rritjes dhe zhvillimit ekonomik për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Sekretari amerikan i Shtetit, fajësoi direkt qeverinë e Kosovës për “hyrjen me forcë në komuna” duke theksuar se veprimet ishin marrë pa u këshilluar me Shtetet e Bashkuara. A mendoni se qeveria e Kosovës duhet të kishte qenë më e matur dhe të mendonte pasojat e mundshme, para se t’i ndërmerrte ato hapa?

Kurt Volker: Së pari, lidhja e ngushtë me Shtetet e Bashkuara është jetike për Kosovën. Prandaj ishte e nxituar dhe e pamatur nga ana e tyre që t’i ndërmerrnin këto veprime pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara. Dhe mendoj se kjo reflektohet në deklaratën e sekretarit Blinken. Në të njëjtën kohë, unë mendoj se deklarata anashkalon një pjesë të përgjegjësisë së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që dështuan të mbanin nën kontroll disa nga këto veprime nacionaliste serbe me kalimin e kohës, gjë që ishte edhe arsyeja që e nervozoi Kosovën.

Pra, nga perspektiva e Kosovës ishte një kombinim faktorësh. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet, të punojë me komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk do të jetë në një situatë më të favorshme për t’i bërë ballë nacionalizmit serb duke vepruar e vetme, sesa po të punojë me komunitetin ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë nga intervistat dhe deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti, duket se ai nuk po bën një hap prapa, por po thekson se përballë një regjimi si ai i Serbisë, qeveria nuk do të zmbrapset dhe do të mbrojë demokracinë e saj. A janë konstruktive këto deklarata?

Kurt Volker: Unë e kuptoj këndvështrimin e tij, si edhe faktin që për të është politikisht e rëndësishme që të mos duket i dobët. Por në të njëjtën kohë, unë mendoj se ai dhe autoritetet e Kosovës në përgjithësi duhet të gjejnë një rrugë për të zbutur situatën, për t’u rikthyer tek bashkëpunim me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke këmbëngulur njëkohësisht që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë një rol më të fuqishëm se saj ka luajtur deri tani për zmbrapsjen e veprime nacionaliste.

Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që edhe Shtetet e Bashkuara të bëjnë përpjekje për uljen e shkallëzimeve, që situata të mos acarohet edhe më shumë.

Zëri i Amerikës: Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se në përgjigje ndaj qëndrimit të Kosovës, NATO-ja anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen Defender 23. A mendoni se kjo ishte një kundërpërgjigje e përshtatshme?

Kurt Volker: Mendoj se është një çështje gjykimi. Është e qartë që qeveria e Shteteve të Bashkuara është e pakënaqur me qeverinë e Kosovës dhe ata deshën të bënin diçka për ta shprehur këtë pakënaqësi. Mendoj se për shkak të mënyrës se si veproi Kosova, pa u konsultuar drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, SHBA po përpiqet të mbajë qëndrim.

Personalisht unë mendoj se ne duhet të mbështesim pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, t’i këshillojmë ata që të bëjnë një hap pas, të qetësohen, të mos shkallëzojnë situatën dhe të mbajmë një qëndrim më të balancuar lidhur me rolin që po luan nacionalizmi në rajon në këto momente.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh se sa i ashpër ishte ky qëndrim amerikan, sa mendoni se është dëmtuar marrëdhënia mes dy vendeve që të dyja palët e kanë konsideruar të veçantë?

Kurt Volker: Mendoj se do ta karakterizoja situatën aktuale si zhgënjim dhe nervozizëm. Shpresoj që situata të hyjë në rrugë të mbarë përsëri.