AKTUALITET, 1 September 2026, 11:47

"Ambulanca u vonua"/ Humbën jetën, pasi i zuri korrenti, banorët në Vaun e Dejës protestojnë: Dolën për të pirë kafe dhe u kthyen të vdekur

Banorë të Vaut të Dejës protestuan pranë qendrës shëndetësore të zonës, pas ngjarjes tragjike në fshatin Karmë, ku humbën jetën David Deda, 46 vjeç, dhe Sokol Preka, 40 vjeç.

Elektricisti dhe pronari ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e lokalit të Prekës. Protestuesit pretendojnë se ambulanca mbërriti rreth një orë e 30 minuta pas njoftimit, vonesë që, sipas tyre, ndikoi në humbjen e jetës së dy viktimave.

Në protestë mori pjesë edhe motra e Sokol Prekës, e cila mes lotësh akuzoi sistemin shëndetësor për mungesën e reagimit në kohë.

“Sot vdiqën dy vëllezër, Sokoli dhe Davidi. Dolën për të pirë kafe dhe dolën të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston, nuk ka ndihmë e asgjë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më”, u shpreh ajo.

Në mbështetje të banorëve protestues u bashkua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti.

Banorët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësi për reagimin e shërbimit shëndetësor. Pretendimet e tyre lidhur me vonesën e ambulancës pritet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.