AKTUALITET, 1 September 2026, 10:50

Vlerësimi/ Riatdhesimi i 5 shqiptarëve nga Siria, ambasada e SHBA: Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar Shqipërinë për riatdhesimin e fundit të pesë shtetasve shqiptarë nga Siria.

Përmes një reagimi të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, bëhet e ditur se në Shqipëri janë kthyer dy gra dhe tre fëmijë, të cilëve tashmë u mundësohet mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim.

Në postimin e saj ambasada amerikane citon Byronë e Kundërterrorizmit pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim.

Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagimin e Ambasadës, të publikuar më parë edhe nga Byroja e Kundërterrorizmit.