AKTUALITET, 19 September 2026, 15:39

Alarm për shëndetin e fëmijëve/ Dyfishohen rastet e hipertensionit, kardiologia: Enët e gjakut po plaken para kohe

Një shqetësim në rritje për shëndetin e fëmijëve po evidentojnë mjekët kardiologë, pasi rastet e hipertensionit te moshat e vogla janë dyfishuar. Sipas kardiologes Ëngjëllushe Hasani, prevalenca që më parë ishte rreth 4% në Europë dhe në botë, tashmë po shkon drejt 8%. 

Mjekja thekson se te fëmijët po vërehet edhe një fenomen shqetësues: plakja e parakohshme e enëve të gjakut. Sipas saj, kjo mund të ndikojë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare në mosha më të hershme. 

Ndër faktorët kryesorë përmenden mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, çrregullimet e gjumit dhe ankthi, ndërsa mjekja ngre shqetësime edhe për përdorimin e drogave. Ajo tha se rreth 80% e fëmijëve nuk kryejnë aktivitetin fizik të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe se një në pesë fëmijë është obez. 

Për të ulur rrezikun, prindërit këshillohen t’i kushtojnë më shumë vëmendje aktivitetit fizik, ushqyerjes së shëndetshme dhe kontrolleve te mjeku i familjes. Sipas rekomandimeve të cituara nga mjekja, kontrollet e yndyrave në gjak mund të nisin që në moshën 2-vjeçare, ndërsa matja e tensionit nga mosha 3-vjeçare.