AKTUALITET, 19 September 2026, 12:07

Të shtënat në Tiranë/ Policia jep detaje nga plagosja: U qëllua në ajër pas një konflikti të çastit, autori në kërkim

Një 45-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër pas një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 në rrugën “Selaudin Zorba”. Pas marrjes së njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi me inicialet Xh. Xh., 45 vjeç. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Si pasojë e të shtënave ka mbetur i dëmtuar lehtë një 37-vjeçar, i identifikuar me inicialet M. G. Ai ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes në momentin kur 45-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë në ajër.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë Tiranë:

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 45-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, ku mbeti i dëmtuar lehtë një shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se rreth orës 03:30, në rrugën “Selaudin Zorba”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit.

 
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. Xh., 45 vjeç, i cili u shpall në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

45-vjeçari, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej shtetasi M. G., 37 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.