AKTUALITET, 16 Shtator 2023, 19:21

Zjarri te pallati 10-katësh në Tiranë, hetime edhe për përmbushjen e standardeve të sigurisë nga ndërtuesi

Zjarri te pallati 10-katësh në Tiranë, hetime edhe për

Hetimet për zjarrin në pallatin 10-katësh në kryeqytet nuk janë fokusuar vetëm për zbardhjen e shkakut të zjarrit dhe të përcaktimit të dëmeve, por edhe te fakti nëse janë përmbushur standardet e sigurisë nga ndërtuesi i pallatit. Grupi hetimor sqaron se do të merren në pyetje nga policia ndërtuesi i pallatit Tanush Mëhillaj dhe inxhinieri. Ndërtuesi dhe inxhinieri do të pyeten rreth ndërtimit të pallatit, pasi nuk ishin përmbushur kushtet teknike të sigurisë dhe materiali që është përdorur për ndërtimin e fasadës nuk përmbush standardet e sigurisë në raste zjarri.

Pallati 10-katësh i përfunduar në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj nuk kishte një sistem funksional për mbrojtjen ndaj zjarrit. Sipas banorëve herë pas herë ka pasur probleme me energjinë, pasi binte automati. Sipas banorëve të pallatit ndërtuesi ende nuk ka ardhur të kontaktojë me to për t’i dhënë sqarime se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre.

Zjarri u përhap me shpejtësi te frikshme prej një materiali të djegshëm që është përdorur nga ndërtuesi në fasadën e pallatit, e cila sipas ekspertëve ka përzierje me nënprodukte të naftës, që kanë favorizuar flakët. Grupet e ekspertëve dhe policia vijojnë punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit, si dhe vlerësimin e dëmeve, por po hetojnë me detaje edhe për mënyrën si është ndërtuar pallati dhe a i plotësonte kushtet e sigurisë. Gjithashtu inxhinierët po vlerësojnë edhe strukturën e pallatit, pasi prej më shumë se 3 orësh disa nga katet ishin nën flakë dhe mund të ketë dëmtuar kolonat e pallatit, çka mund ta bëjë që të mos plotësojë kushtet e sigurisë inxhinerike dhe del jashtë funksionit për të qenë i banueshëm.

Nga ekspertiza paraprake dyshohet se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndije elektrike. Dy ditë pas zjarrit pallati vazhdon të mbetet i rrethuar nga një perimetër sigurie, ndërsa banorët nuk u lejuan të afrohen për shkak të rrezikut.