AKTUALITET, 16 Shtator 2023, 16:47

Shkolla 100-vjeçare në Gjirokastër mbyll dyert për nxënësit, godina më e vjetër në rang vendi drejt rrënimit

Shkolla 100-vjeçare në Gjirokastër mbyll dyert për

Një ndër shkollat më të vjetra në rang vendi, prej disa vitesh është jashtë funksioni. Bëhet fjalë për shkollën fillore ‘Bajo Topulli’ në Gjirokastër e cila është ndërtuar dhe vënë në funksion rreth 100 vite më parë. Sot ajo, përveçse i ka mbyllur dyert për nxënësit, është degraduar edhe si godinë. Kjo për faktin se në këtë shkollë kërkesa për regjistrim ishte shumë e ulët dhe nuk plotësonte kriteret për funksionimin e rregullt. Banorë të lagjes ‘Dunavat’, ku edhe ndodhet shkolla apelojnë që godina shekullore të rregullohet dhe të vihet në funksion.

“Gjynah ajo shkollë të ngelet pa mësues dhe pa nxënës aty kemi mësuar kanë dalë profesorë, kanë dalë inxhinierë, kanë dalë deputetë që janë të sotëm dhe që të rrijë ashtu një gjë e shkretë. Mendoj se mund të ketë rënë numri i nxënësve, ka pasur lindje më pak, fëmijë më pak në shkollë dhe ndaj u mbyll dhe u grupuan në shkollën qendër “Naim Frashëri”. Shumë keq ajo duhet të ishte mbajtur të paktën nëse nuk do të funksiononte si shkollë, te funksiononte si kopësht. Është shkollë e vjetër shumë, nuk duhet të ishte lënë në këtë gjendje”, tha banori.

5 vite më parë shkolla fillore ‘Bajo Topulli’ funksiononte për klasat e para deri në të katërtën me një numër nxënësish prej 150. Por largimi masiv i popullatës nga Gjirokastra drejt qyteteve të tjera, emigrimi dhe ulja e numri të lindjeve duket se janë faktorët që kanë ndikuar në mbylljet e kësaj shkolle. Duke qenë se kjo zonë është e frekuentuar nga turistët, rrjetëzimi i godinës do të ishte një vlerë e shtuar edhe për zonën historike të Gjirokastrës.